
Janë zbardhur rrethanat e aksidentit të ndodhur sot në Kamëz, ku një fëmijë 7-vjeçar ndërroi jetë, pasi u përplas nga dy automjete, raporton A2CNN.
Policia ka arrestuar shtetasin Tomorr Shukulli, drejtuesi i automjetit që përplasi 7-vjeçarin dhe u largua nga vendngjarja. Në pranga ka ranë edhe shtetasja Valbona Koltreku, e cila ka qenë në drejtimin e një tjetër makine.
Pas përfundimit të hetimeve nga grupi hetimit është zbuluar se i mituri është përplasur nga dy automjete, dhe goditjen fatale e ka marrë nga automjeti që drejtohej nga Valbona Koltreku. Edhe kjo e fundit është larguar po ashtu nga vendi i aksidentit.
“Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri. Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident. Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet. Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe”, thuhet në njoftim.
“Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K. Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit. Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit”, vijon njoftimi.
(A2 Televizion)