Zbardhet ngjarja e vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se një shtetas është vënë në prangat e policisë ne lidhje me vrasjen e regjistruar pak ditë më parë.
Sipas të dhënave nga blutë e Shkodrës janë shoqëruar në polici disa persona të cilët kanë dhënë detaje në lidhje me këtë atentat të ndodhur në rrugën “Isuf Sokoli” në Shkodër çka ka ndihmuar në zbardhjen e të dhënave për këtë ngjarje.
“Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xhulio Malo, 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç. Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.)”, tha policia, shkruan A2 CNN.
Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Kush ishte viktima, Elis Rroshkodoli?
Elis Rroshkodoli, i cili u qëllua për vdekje teksa ishte duke konsumuar kafen brenda një lokali në lagjen “Zdrale” të Shkodrës më 30 gusht, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi rezulton person me precedentë penal për veprat penale “vjedhje”, “plagosje” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Në 22 Maj të vitit 2023 për të është lëshuar një urdhër arresti edhe nga Gjykata e Bukureshtit në Rumani si i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “goditjes ose të akteve të tjera të dhunshme”, raporton A2. Mediat në Rumani shkruanin një vit më parë se Elis Rroshkodoli (alias Elis Shkoza) ka goditur me thikë në të pasme një nga klientët e kafenesë Niba.
Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas, në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas.
Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. (A2 Televizion)