Zbutja e masave të sigurisë, kreu i Gjykatës së Lartë: Kërkesë e Strasburgut

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazmend Janku
26 Mars 2026, 15:21 | Kronikë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, është prononcuar në lidhje me nismën për ndryshimin e kritereve për vendosjen e masave të sigurisë ndaj personave që janë nën hetim. Sadushi ka shpjeguar se nisma duhet parë në thelb, duke sqaruar edhe arsyet.

“Strasburgu nuk thotë që të lirohen njerëzit nga burgu padrejtësisht. Nuk është kjo nisma e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Absolutisht jo. Nisma ka të bëjë me këtë: një person që arrestohet dhe ndaj të cilit vendoset masa ‘arrest në burg’, kërkon që prokurori dhe sidomos gjykata të japin arsye të qarta pse vendoset kjo masë, dhe jo thjesht të thuhet se ‘vlerësohet si masa më e përshtatshme’.

Përkundrazi, kjo nismë synon të ndërgjegjësojë prokurorin, të ndërgjegjësojë avokatin që të bëjë një mbrojtje siç duhet dhe të ndërgjegjësojë gjykatën që, sa herë merret një vendim, për një masë sigurie, një gjobë, largim nga puna apo arrest, të japë arsyetim të plotë. Këtë kërkojmë ne dhe këtë kërkon edhe Strasburgu”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Kreu i Gjykatës së Lartë është shprehur se nga ndryshimet e propozuara nuk përfitojnë ish-politikanët që janë në hetim, por masa dërrmuese e të paraburgosurve, të cilët përbëjnë rreth 97% të numrit total të personave në paraburgim.

“Nga 100% e të paraburgosurve, 97% janë nga Prokuroria e zakonshme, pra qytetarë të thjeshtë. Vetëm 3% janë funksionarë që hetohen nga SPAK. Këtu duhet të shqetësohemi të gjithë dhe jo të mendojmë se kjo ka lidhje me funksionarë të veçantë. Nëse prokurori i SPAK-ut apo ai i zakonshëm është në gjendje të arsyetojë pse një funksionar duhet të qëndrojë në burg, gjykata nuk ka çfarë të bëjë tjetër veçse ta lërë në burg. Por nëse prokurori nuk jep arsye, atëherë është e natyrshme që gjykata të ndryshojë masën e sigurisë”, shtoi Sadushi.

Sipas të dhënave aktuale, më shumë se gjysma e personave që ndodhen në burgjet shqiptare, mbi 58%, janë të paraburgosur për të cilët ende nuk ka një vendim të formës së prerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos