U akuzua për falsifikim të vulave, SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka

Nga Igli Çelmeta
25 Mars 2026, 19:24 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka. SPAK i ka dërguar kërkesë në GJKKO për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtares për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se pavarësisht se materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka përdorur dokumenta të parregullta dhe ka tentuar të hyjë në Greqi duke përdorur identitete të ndryshme, në dëshminë e penalitetit të lëshuar nga autoritetet greke, nuk ka të dhëna për dënimin e saj në vendin fqinj.  

Gjithashtu, SPAK thotë së nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij.

SPAK deklaron se rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm.

Procedimi ishte regjistruar më 5 qershor 2025, pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike.

Përmes denoncimit ajo kishte pretenduar për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm nga ana e Gjokës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos