Një zjarr i madh ka rënë në një bllok banesash në Pogradec mbrëmjen e sotme, shkruan A2 CNN.
Sipas informacioneve, mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen 4 të qytetit. Dy zjarrëfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin dhe fikjen e zjarrit.
Rrezikohen shumë banesa të tjera nga flakët, pasi zjarri është në përmasa shumë të mëdha.
Ndërkohë familjarët fatmirësisht kanë arritur të dalin nga banesa, ndërsa shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.
“Ka dy orë që po digjet dhe zjarrëfikësja nuk po vepron asgjë. Hajdeni urgjent dhe hiqini këta polecat këtu, sepse shtëpia ra përdhe dhe këta polecat më mbajnë mua këtu. Për çfarë? Pse nuk ka ujë liqeni i Pogradecit?”, tha një prej banoreve të zonës për A2 CNN.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec/Informacion paraprak
Rreth orës 21:25, në lagjen nr. 4 Pogradec, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., 80 vjeç.
Si pasojë e zjarrit, janë përfshirë dhe banesat ngjtur me banesën që ra fillimisht zjarri.
Shërbimet Policisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëhere për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit.
Nga rënia e zjarrit ka vetëm dëme materiale, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë.
Vijon puna intensive për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit. (A2 Televizion)