Pas 17 muajsh në drejtimin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda është shkarkuar nga detyra. Vendimi është marrë pas protestës së opozitës, ku përveç Prodës është shkarkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije për A2CNN se shkarkimi i Prodës dhe Alushit ka ardhur për shkak të mosgarantimit të rendit dhe vënien në rrezik të jetës së qytetarëve në protestë.
Shkarkimi argumentohet me faktin se u vunë në rrezik jetët e artistëve të huaj dhe punonjësve që ishin brenda vilës së Enver Hoxhës, gjatë sulmit me molotovë nga protestuesit. Burime pranë ish-kryepolicit Proda shprehen për një dorëheqje dhe jo shkarkim.
Edhe pse jozyrtarisht, në korridoret e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme flitej prej kohësh për një largim të Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit. Por, siç duket, protesta e opozitës solli edhe arsyen zyrtare të largimit të tij. Kujtojmë që gjatë drejtimit të policisë nga Proda, u larguan dy ministra të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Albana Koçiu.
Pas largimit të Prodës, në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, i cili mban postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm dhe sipas ligjit të Policisë së Shtetit, zv/drejtori i përgjithshëm komandohet përkohësisht në krye të Policisë, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.
Tashmë, sipas ligjit të Policisë së Shtetit, pritet që të hapet gara për Drejtor të Përgjithshëm, ku pas konkursit ministri i ri i Brendshëm i propozon emrat me pikët më të larta kryeministrit, i cili është i fundit që hedh firmën dhe bën zgjedhjen e dretorit të Policisë.
Që prej marrjes së detyrës më 2 tetor 2024, Ilir Proda ka qenë gjithmonë shënjestër e sulmeve të opozitës, të cilat u intensifikuan kohët e fundit gjatë zhvillimit të protestave. Pas Gledis Nanos që qnëdroi vetëm 11 muaj, Ilir Proda bëhet drejtuesi i dytë më jetëshkurtër në drejtimin e policisë së shtetit. (A2 Televizion)