Aktivitet i veçantë në Pekin, përkujtohen Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, dy kolosët e letërsisë shqipe

Nga A2 CNN
31 Mars 2026, 16:55 | Kulturë

Aktivitet i veçantë në Pekin, përkujtohen Dritëro

Në Pekin u zhvillua të shtunën aktiviteti kulturor me temë “Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare – Dy kolosët e letërsisë dhe kulturës shqiptare”, i organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Kinë. Aktiviteti mblodhi përfaqësues diplomatikë, studiues, pedagogë, studentë dhe dashamirës të letërsisë, duke sjellë në qendër të vëmendjes jetën, veprën dhe trashëgiminë e dy prej figurave më të mëdha të kulturës shqiptare.

Në kuadër të aktivitetit, studiues dhe përkthyes ndanëg jithashtu përvojat e tyre në lidhje me veprat e Agollit dhe Kadaresë, duke theksuar ndikimin e tyre të vazhdueshëm te lexuesit e brezave të ndryshëm.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Shqipërisë në Kinë, z. Riza Poda, u shpreh: “Kam kënaqësinë t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj për praninë tuaj në këtë takim të veçantë kushtuar dy figurave të mëdha të letërsisë dhe kulturës shqiptare.”

Ai theksoi se, nëpërmjet veprave të tyre, Agolli dhe Kadare kanë sjellë para lexuesve në mbarë botën historinë, traditat dhe botën shpirtërore të popullit shqiptar.

Ambasadori shprehu gjithashtu mirënjohje për përkthyesit, studiuesit dhe të gjithë kontribuuesit që kanë ndihmuar në përhapjen e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Kinë. Ambasadori Poda, në vijim, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë në historinë e letërsisë shqipe dhe në njohjen e kulturës shqiptare përtej kufijve kombëtarë.

Prof. asoc. dr. Chen Fenghua, shefe e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU), si edhe përkthyese e veprave të Ismail Kadaresë në gjuhën kineze, theksoi se veprat e Agollit dhe Kadaresë janë një dritare e rëndësishme për të njohur shpirtin, historinë dhe botën emocionale të popullit shqiptar. 

"Kur i lexojmë veprat e tyre, kur i përkthejmë ato në gjuhën kineze, nuk e kemi përshtypjen se jemi shumë larg me ta, sepse kudo gjenden rezonancat, qoftë gëzime dhe kënaqësi, qoftë dilema dhe shqetësime. Në këto vepra cilësore na dalin mençuria dhe filozofia e tyre ndaj jetës personale, shoqërisë së vjetër dhe botës së sotme".

Prof. asoc. Wang Caixiao, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit (BISU), vuri në dukje se letërsia shqipe, veçanërisht vepra e Agollit dhe Kadaresë, luan një rol të rëndësishëm që studentët kinezë të kuptojnë më thellë kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

"Letërsia shqiptare nuk është vetëm një mbështetje e rëndësishme për mësimin e gjuhës, por edhe një dritare e çmuar për të kuptuar historinë dhe kulturën e Shqipërisë."

Profesor Zheng Enbo, studiues, publicist e përkthyes dhe albanolog i shquar kinez, që merret me studimin dhe përkthimin e veprave të letërsisë shqipe, rrëfeu në aktivitet historinë e tij të komunikimit me dy shkrimtarët e mëdhenj, me të cilët u njoh qysh në vitet studentore.

Ai i vlerësoi këta dy kolosë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare, duke kujtuar me shumë emocione kohën e rinisë që kaloi me miqtë shqiptarë dhe duke shprehur shpresën për trashëgimin e miqësisë dhe afrimin e kulturës shqiptare me publikun kinez. Z. Zheng, i njohur me pseudonimin "Shqiponja e Kuqe", u nderua në vitin 2019 me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë, për kontributin e tij në përhapjen e kulturës shqiptare.

Ai ka përkthyer dhe botuar shumë vepra të njohura të letërsisë shqipe në gjuhën kineze, si "Bagëti dhe bujqësi”, “Nënë Shqipëri”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Gjatë aktivitetit u shfaqën gjithashtu dy dokumentarë mbi jetën dhe veprën e të dy shkrimtarëve, të përgatitur nga Grupi Mediatik i Kinës.

Studentët e BFSU-së dhe BISU-së recituan dhe interpretuan pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e Agollit dhe Kadaresë, si “Kur një mëngjes”, “Kur ti telefonoje”, “Nënë Shqipëri”, “Ora e gurit” dhe “Ti dhe hëna”, si edhe këngë shqiptare e kineze.

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë se vepra e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë vazhdon të mbetet e gjallë jo vetëm në kujtesën letrare shqiptare, por edhe në interesin e lexuesve, studiuesve dhe studentëve jashtë Shqipërisë. Nëpërmjet këtij aktiviteti, trashëgimia e tyre letrare u soll më pranë publikut kinez, duke forcuar më tej urat e komunikimit kulturor mes dy vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos