Rikthimi i Celine Dion, pas sëmundjes, diva e muzikës njofton koncerte në Paris

Nga Rosalba Bejdo
31 Mars 2026, 13:42 | Kulturë

Rikthimi i Celine Dion, pas sëmundjes, diva e muzikës njofton koncerte

Në ditëlindjen e saj të 58-të, artistja kanadeze Celine Dion njoftoi rikthimin e saj në skenë pas disa vitesh pauzë për shkak të gjendjes shëndetësore. Përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, këngëtarja i komunikoi adhuruesve të saj atë që e quajti dhuratën më të bukur për ditëlindje: mbajtjen e 10 koncerteve në Paris, gjatë vjeshtës së këtij viti, shkruan A2CNN.

Njoftimi i shumëpritur vjen pas një fushate promovuese, që e shfaqte Dion në rrugët e Parisit dhe nxiti spekulimet se ylli i muzikës, i njohur për baladat e fuqishme, do të shënonte rikthimin në skenën franceze.

“Gjatë këtyre viteve të fundit, çdo ditë që ka kaluar, e kam ndjerë lutjen dhe mbështetjen tuaj, mirësinë dhe dashurinë tuaj. Edhe në momentet e mia më të vështira, ju keni qenë pranë meje. Më keni ndihmuar në mënyra që as nuk mund t’i përshkruaj, dhe jam vërtet shumë me fat që kam mbështetjen tuaj. Më keni munguar shumë, dhe kjo më kthen te ditëlindja ime, në fakt. Kështu që këtë vit po marr dhuratën më të bukur të jetës sime. Po marr mundësinë t’ju shoh, të performoj për ju edhe një herë, në Paris, duke filluar nga shtatori i këtij viti. Jam shumë… jam shumë e lumtur dhe jam gati për ta bërë këtë,” shkroi Dion.

Njoftimi u promovua në mënyrë simultane përmes një shfaqjeje drite në Kullën Eiffel të Parisit. Shitja paraprake e biletave do të nisë më 7 prill, ndërsa ajo e përgjithshme më 10 prill.

Diva e muzikës fitoi famën në fund të viteve ’90 me baladën “My Heart Will Go On”, kolona zanore e filmit Titanic. Ajo bëri një pauzë në karrierën e saj në vitin 2022 pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë neurologjike, e cila shkakton spazma të forta muskulare. Kjo gjendje ia bëri të pamundur të këndonte, duke e detyruar të shtynte dhe më pas të anulonte turin e saj atëhershëm, “Courage World Tour”.

Pavarësisht diagnozës, Dion u përpoq të luftonte për të rikthyer veten në skenë. “Nëse nuk do të mund të vrapoj, do të eci; nëse nuk mund të eci, do të zvarritem,” tha ajo në një dokumentar që u bë hit në Amazon në 2024. Më vonë atë vit, këndoi nga Kulla Eiffel në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, himnin “La Vie en Rose” të Edith Piaf, në performancën e saj të parë live që prej vitit 2020, duke mbërthyer miliona shikues në të gjithë botën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos