Një grup përfaqësuesish të zonës së Dukagjinit kërkojnë që busti i Lekë Dukagjinit të vendoset në qendër të qytetit të Shkodrës duke e cilësuar si një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar.
Gjergj Temeli, kryetar i shoqatës “Bashkësia Shqiptare” i bëri thirrje bashkisë Shkodër që të veprojnë sa më shpejt me vendosjen e bustit, pasi Lekë Dukagjini është një figurë që njihet ndërkombëtarisht.
Anëtarë të tjerë të shoqatës, vendosjen e bustit në qendër të qytetit e cilësojnë një hap të vonuar.
Kërkesa në Bashkinë e Shkodrës që busti i Lekë Dukagjinit të vendoset në këtë qytet është bërë prej tre vitesh. Më herët në reagimin e saj Bashkia sqaroi duke thënë se deri më tani ishte e pamundur vendosja e busteve për shkak të mungesës së një rregulloreje.
Ndërkohë në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Shkodrës e zhvilluar më 3 mars të këtij viti u miratua ngritja e një komisioni artistiko-kulturor si dhe u miratua rregullorja për projektet kulturore dhe artistike duke i hapur rrugë tashmë ndër të tjera edhe vendosjes së busteve në territor apo vendimeve të tjera të ngjashme. (A2 Televizion)