Trashëgimia si markë, folklori nga brezi në brez si pasuri shpirtërore e shqiptarëve

Nga Luela Myftari
7 Mars 2025, 15:19 | Kulturë

Nga iso-polifonia e deri te këngët e Tropojës, Shqipëria, që pret të listojë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s edhe lahutën, është po ai vend që i përcjell brez pas brezi këto pasuri shpirtërore, por s’ka asnjë politikë apo qasje për t’i futur, qoftë edhe në kurikulat arsimore. Për një plan më konkret ka qenë edhe takimi me studiues e akademikë që prej vitesh hartojnë dosje të tilla. Delegacioni i BE-së në Shqipëri duket se na drejton një thirrje përmes këtij angazhimi.

“Ne kemi mbështetur në disa mënyra trashëgiminë kulturore të Shqipërisë në mënyrë prekshme, në ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë fizike, siteve historike e kulturore, muzeve arkeologjike etj. Por trashëgimia shpirtërore është pjesë e rëndësishme dhe do të jetë me interes të shohim se si fëmijët dhe të rinjtë do të mendojnë për të dhe se çfarë do të thotë të jesh shqiptar.”, – thotë Andrea Ferrero, shefi i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social pranë delegacionit të BE-së në Shqipëri, shkruan A2 CNN.

Në një kohë kur procesi i integrimit evropian është i shpejtë, Shqipëria është e ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare, edhe për shkakun se familjet e mëdha shqiptare dhe zonat konservatore të kësaj trashëgimie janë dukshëm të ekspozuara ndaj ndikimeve të globalizmit, të emigrimit dhe migrimit të brendshëm të popullsisë.”, – thotë Vasil Tole.

“Gjysma e shqiptarëve jetojnë në diasporë dhe nuk kanë shkolla për të mësuar shqipen, që është abc-ja e trashëgimisë jomateriale (që ende ka polemika sa e vjetër është), por fakti që është përcjellë kaq kohë, edhe e pashkruar, është vlerë e madhe dhe është keqardhje e madhe që po humbet tashmë, me shumicën e shqiptarëve që jetojnë në diasporë. Me zhvillimin e shpejtë kapitalist, as prindërit nuk kanë kohë të rrinë e të flasin me fëmijët për përcjelljen e legjendave ose baladave. Brezi i ri lexon shumë pak. Në shkollë shumë pak flitet për trashëgiminë jomateriale, për traditat, duket si diçka jashtë mode.” – thotë drejtuesja e DMO Albania, që është dhe nismëtare e projektit.

Ndaj thirrja e përbashkët është angazhimi për të gjetur mënyrat se si t’i transmetohet jo vetëm të rinjve, por edhe atyre që jashtë kufijve të Shqipërisë duan të ruajnë lidhjen e tyre me rrënjët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos