Emri Dire Straits u zgjodh sepse në fillim ata ishin në vështirësi financiare, duke reflektuar sfidat e para të grupit. Më pas, gjatë provave, Mark Knopfler krijoi hitin Money for Nothing, një nga ato këngë që nuk kanë kohë, por që fatmirësisht Tirana e përjeton të interpretuar sot nga muzikantët që i kanë qëndruar besnikë kësaj muzike.
Alan Clark është që nga viti 1980 me Dire Straits. Fitues i Grammy dhe anëtar në Rock n’ Roll Hall of Fame. Fatmirësisht, këtë legjendë dhe krijues të hiteve bashkë me Mark Knopfler e takojmë sot në Tiranë.
“Kur Dire Straits u ndanë si grup në vitet ’90, mendova që kurrë më nuk do t’i interpretoja ato hite në ture, siç bënin Dire Straits. Unë kam që nga viti 1980 që jam bashkë me Dire Straits dhe mendoja se aty përfundoi rrugëtimi. Nuk do të bëheshim më bashkë. Por ja që 14 vjet më vonë erdhi një ide: të ribashkohemi sa të mundemi për ture në botë. Është një muzikë pa kohë, ndaj edhe kishte interes nga njerëzit”, rrëfen ai për A2 CNN.
Kështu u krijua Dire Straits Legacy dhe disa prej nesh janë këtu në Tiranë edhe sot. Marco arriti të na bënte bashkë. Me zërin e tij, shumë i ngjashëm me atë të Mark Knopfler, besuam se këto hite duhet të performohen ende. Ishte një rastësi e çuditshme se si e njoha Markon, por ai i dha jehonë sërish hiteve tona. Kështu thirrëm edhe anëtarë të tjerë të bandës së dikurshme dhe me kënaqësi sot performojmë më të mirat që shkruam dikur: unë, Mark Knopfler dhe artistë të tjerë.”
“Ju siguroj që do të interpretohen të gjitha hitet më të mëdha të Dire Straits, të gjitha ato që publiku dëshiron të dëgjojë. Gjithashtu do të luajmë edhe disa krijime nga katalogu më pak i njohur i Dire Straits, që mendoj se po ashtu do të duartrokiten nga publiku”, tregon kitaristi dhe vokalisti Marco Cavaglia.
Tekstet dhe tingujt e kitarës, baterisë dhe saksofonit i kthyen ata në një nga grupet më origjinale të viteve ’80. “Janë vërtet këngë pa kohë. Mark Knopfler është një nga krijuesit më të mirë. Ka shkruar muzikë të pakohë, siç thoni ju, dhe është kënaqësi të interpretoj këto këngë prej gati tre dekadash.
“Deri në vitin 1989 kam qenë me Eric Clapton në kitarë dhe në vitin 1990 iu bashkova Dire Straits. Di vetëm të them se muzika e tillë, që i bën njerëzit të këndojnë pavarësisht nëse e dinë apo jo gjuhën, është një dëshmi. Të mësosh tekstin e një kënge pa ditur gjuhën, të kërkosh kuptimin e saj – këto janë fantastike në një tur si ky që po realizojmë”, thotë Phil Palmer, kitarist dhe vokalist.
“Keni të drejtë kur thoni se muzika nuk ka kohë, kur është e mirë. Unë kam interpretuar dy vjet me Dire Straits, me Mark Knopfler, dhe tani sërish në Dire Straits Legacy shoh jo vetëm një brez që na ndiqte në fund të viteve ’80, por edhe fëmijët e tyre. Muzika bashkon”, thotë Danny Cummings.
Dire Straits kanë fituar 6 albume platini, 4 çmime Grammy, 3 çmime Brit, 2 çmime MTV Video Music Awards, por këto janë vetëm disa kapituj të një historie të madhe muzikore në etapat e bandës. Një kapitull tjetër po shkruhet në Tiranë, që është ndalesa e radhës për turin e këtij viti. (A2 Televizion)