Vetëm në këtë 5-vjeçar të fundit, vepra e Petro Markos po ndjen erën e botimit. Për një kohë të gjatë në bibliotekat tona gjendeshin vetëm botimet e vjetra. Veprën e plotë, vit pas viti, po kujdeset ta botojë Rita Petro.
Njëkohësisht me veprën, edhe lexuesi nis të perceptojë shkrimtarin e lirisë. Po ashtu edhe studiuesi. Kështu ka ndodhur edhe me Behar Gjokën, i cili, ndonëse nga një kënd tjetër i Shqipërisë, ulet, udhëton dhe rrugëton në brigjet e jugut të Petro Markos, shkruan A2 CNN.
Në monografinë e tij, Petro Marko nuk shihet vetëm si shkrimtari i lirisë, por edhe si shkrimtari i fëmijëve, ai i poezive që ndoshta i kemi tejkaluar pa u thelluar, si dhe ai i intervistave me vetveten, po aq sa edhe një biografi, tani që letrat e tij kanë nisur të botohen e të bëhen publike nga familjarët.
Behar Gjoka sjell përmes studimit të tij një vepër që do t’i flasë jo vetëm studiuesve, por edhe atyre që duan të shohin përtej veprës së Petro Markos, përtej Hasta la Vista-s apo Qytetit të fundit. (A2 Televizion)