Rikthehet “Serenights”, magjia e serenatave jehon e pushton sërish Korçën

Nga Luela Myftari
19 Shtator 2025, 19:14 | Kulturë

Kitarat që kanë shoqëruar këngëtarët e mëdhenj të serenatës, si Vangjush Tushi, familja Sulioti, Ilia Vinjau, Furxhi, Peleshi, Terova, por edhe kitara e aktorit të madh Pandi Raidhi, pjesë e filmit “Përballimi” janë ekspozuar në Korçë për të nisur rrugëtimin e “Serenights”, një festivali dedikuar serenatave.

Organizatorja Blerta Belliu tha për A2:"Serenata vjen në edicionin e dytë. Në këtë edicion do të kemi tre netë të veçanta. Natën e parë e nisëm nga themelet. Në këtë dyqan që është simbol i filmit “Përballimi”, Pandi Raidhi e menduam ta nisim kështu, ka kaq shumë që këndonin serenatë. Kitara mjafton të them që është e Vangush Tushit, kitarë 120-vjeçare. Kitarë e Ilke Vinjau që bëri Lulen e Saksisë. Janë autorët e vërtetë të serenatës, Asdreni, Kristo Floqi, motrat Maliqari, ata të cilëve u është marrë teksti, u është ndryshuar e sjellë sipas qejfeve të gjithësecilit”.

“Askush nuk këndon dhe dashuron siç bën Korça”, shprehet këngëtarja Lazarela, këngëtarja që ka 40 vite që këndon serenatën. 

“Kam 40 vjet që këndoj serenatën… Një jetë… Korçari nuk jeton dot pa serenatën. Edhe ai që nuk këndon, e këndon serenatën. Në çdo event, gëzim familjar, po nuk kënduan pak serenatë, nuk quhet. Këndon me shpirt. Dashuron me shpirt. Korçari është sqimatar", shprehet Lazarela.

Mes publikut, dy të huaj të ardhur nga larg, u magjepsën nga tingujt dhe atmosfera. Për ta, serenata nuk ishte thjesht muzikë, por një gjuhë universale që flet për dashurinë: “Jam e lumtur që erdha. Hera e parë në Shqipëri, Korça është perfekte. Kaq shumë traditë, më pëlqeu arkitektura antike e aq më tepër muzika, më kujton serenatën italiane”. 

"Jam nga India. Hera e parë në Shqipëri dhe Korçë. Qytet i bukur. Hera e parë që dëgjoj serenatë. Të jep një ngrohtësi në shpirt. Çlodhesh kur e dëgjon", thotë një turist tjetër. 

Për Korçën, serenata nuk është thjesht një këngë, është kujtesë, është kulturë, është shpirt i gjallë i këtij qyteti.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos