Në ditën ndërkombëtare, shpluhurosen nga arkivat fotografi të vjetra. Një ekspozitë me imazhe nga objektivi i fotografëve korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci, dy prej pionierëve të fotografisë shqiptare të shek. XX-të është çelur në Parkun Rinia.
Sa libra janë shkruar, e sa e sa kineastë, e nisin rrëfimin artistik me një foto familjare në një komodinë. Familje të mëdha. Me tre breza; në sfond qyteti. Të tilla kujtime që rrëfejnë momente të jetës së përditshme të përjetësuara në celuloid janë historia që rrëfejnë arkivat sot. E që i gjetëm të ekspozuara në Parkun Rinia.
Imazhet nga objektivi i fotografëve korçarë Vani Burda dhe Thimi Raçi, dy prej pionierëve të fotografisë shqiptare të shek. XX-të vijnë si një mënyrë manifestimi në ditën ndërkombëtare të fotografisë.
Nga negativë të kthyer në pozitiv, nga dosjet nëpër arkiva - të shpluhurosura për publikun, përmes këtyre imazheve, që ruhen në fototekën e Drejtorisë së përgjithshme të Arkivave rrëfehet jo vetëm familja shqiptare ,por edhe nxënësit e një shkolle apo një festë tradicionale, veshur me kostumin më të mirë.
Portretet mbeten një nga gjuhët më të zakonshme të fotografisë edhe në vitet 1920 dhe 1930 kur jan realizuar këto fotografi. Fototeka e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është e dyta më e madhe në vend për fotot para vitit 1944. (A2 Televizion)