“Malli”, “Vallja e Yjeve”, “Ku shtrohet vala” apo “Poradeci” janë vetëm disa nga vargjet e poetit Lasgush Poradeci që u kthyen në frymëzim për kantautorin Xhon Jesku.
Është një përgjegjësi e madhe, pasi kthimi i vargjeve të Lasgushit në tinguj kërkon ndjeshmëri artistike dhe respekt maksimal për veprën e lirikut të madh shqiptar. Por Jesku ka guxuar jo vetëm duke krijuar, por edhe duke sjellë një koncert që tingëllon kështu, nën titullin “Valsi i Yjeve”.
Pjesë e koncertit “Valsi i Yjeve” ishte edhe vajza e Lasgush Poradecit, Maria Gusho, e cila e ndoqi koncertin me jo pak emocione.
Një nga poezitë e përzgjedhura, “Poradeci”, është punuar me synimin që të shndërrohet në himnin e qytetit dhe të bëhet pjesë e aktiviteteve dhe eventeve të ndryshme kulturore të Pogradecit.
Kjo nismë synon të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë poetike të Lasgush Poradecit dhe të mbajë të gjallë frymën e tij artistike në jetën kulturore të qytetit. (A2 Televizion)