Në mbrëmjen e premierës së operas Traviatta në Teatrin e Operas dhe Baletit ndodhi një incident, me protagoniste sopranon e njohur Eva Golemi, e cila është rrëzuar në skenën finale teksa interpretonte vdekjen e Violetës.
Vetë skena parashikonte që tenori që interpreton Alfredon ta priste sopranon në krahët e tij. Por përllogaritja e gabuar e kohës dhe mosreagimi i tenorit meksikan Mario Rojas, bënë që Golemi të përplasej në tokë gjatë realizimit të skenës.
Rojas në fakt ndodhej disa metra larg saj dhe spektatorët menduan se rrëzimi i sopranos në mënyrë të tillë ishte pjesë e skenarit, por stafi i TKOB reagoi duke njoftuar ambulancën për të trajtuar me ndihmën e nevojshme mjekësore Eva Golemin.
Më pas sopranoja është dërguar në spital për kontrolle të mëtejshme, ndërsa TKOB ka dalë me një njoftim duke informuar publikun se Eva Golemi ndodhet në proces rikuperimi dhe gjendja e saj paraqitet stabile dhe pa rrezik.
“Gjatë natës së parë të shfaqjes së operës La Traviata, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes. Falë reagimit të menjëhershëm të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm. Znj. Golemi ndodhet aktualisht në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze. TKOBAP shpreh mirënjohje për publikun, i cili me duartrokitjet dhe mbështetjen e tij tregoi respekt dhe dashuri për artistët tanë. Shfaqjet tona do të vijojnë sipas programit të parashikuar. I urojmë znj. Eva Golemi shërim të shpejtë dhe rikthim të shëndetshëm e sa më të afërt në skenë”, thuhet në reagimin e TKOB. (A2 Televizion)