Një ekspozitë në emër të dhembjes për ata fëmijë që e humbasim bukurinë e moshës mes zhurmave të luftës dhe pasojave që lënë betejat.
"Fëmijëria e Humbur", një homazh prekës për shumë fëmijë ukrainas që kanë humbur jetën në këtë luftë: jetë të reja të vjedhura, ëndrra të ndërprera dhe zëra të heshtur. ky është përshkrimi i një prej ekspozitave që ka marrë jetë në kryeqytet. në Shtëpinë e Europës në Tiranë, ministri i Jashtëm, por edhe diplomatë lanë mesazhet e tyre, përkthyer edhe si një lloj qëndrimi në diskursin që po merr lufta në Ukrainë.
“Ukrainasit kanë treguar vendosmëri të palëkundur. Ata qëndrojnë të fort, duke mbrojtur jo vetëm lirinë dhe tokën e tyre, por edhe parimet themelore të rendit ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre në kauzën për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme!", u shpreh Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Tiranë.
“Rusia vazhdon të bombardojë rëndë territorin ukrainas me përdorimin e dronëve dhe raketave të llojeve të ndryshme. Në përpjekjet tona, Shqipëria na qëndron pranë. I jam mirënjohës Bashkimit Evropian për mbështetjen edhe përballë sfidave të reja pas Mynihut, për paketën e 16-të sanksioneve kundër Rusisë dhe që nuk u largua dhe nuk po largohet nga Ukraina”, u shpreh Volodomyr Shkurov, ambasadori i Ukrainës.
“Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht luftën e saj për liri dhe sovranitet gjatë tre viteve të fundit. Rendi ndërkombëtar është në rrezik; forca e aleancës sonë po testohet; dhe vetë parimet e demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial po sfidohen. Angazhimi ynë ndaj Ukrainës mbetet i palëkundur” , deklaroi ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Portretet e këtyre 20 fëmijëve që u ekspozuan në Shtëpinë e Europës, janë dëshmia e një lufte tre vjeçare tanimë në Ukrainë. (A2 Televizion)