Festivali i këngës këtë vit do të ketë një fitues, atë dhe të vetmin që do të shkojë si përfaqësi e Shqipërisë në Eurovizion.
30 materiale muzikore garojnë këtë edicion të 63-të të festivalit. Këngët u publikuan vetëm pak ditë më parë me një koncept vizual shumë modern nga regjisori i festivalit Redi Treni, i cili tregon që edhe skenografia do të flasë me të njëjtën gjuhë artistike.
Paralelisht me zhvillimet politike të Shqipërisë ecën edhe festivali i këngës këtë vit. Njëlloj hyn si koncept edhe vota e diasporës. Një rëndësi të veçantë do i kushtohet teksteve të këngës. Madje, këtë festival do të ketë edhe një çmim për vargjet më të bukura.
Nata e tretë mendohet të jetë një retrospektivë muzikore, njëlloj si rikthimi i Ornela Bregut si prezantuese, që ngjitet në skenë bashkë me Enkel Demin.
Një nga detajet e tjera të festivalit është edhe një kënd i moderuar nga Dalina Buzi gjatë 4 netëve të festivalit, nga data 19 e deri më 22 dhjetor. (A2 Televizion)