Amfiteatri Antik i Durrësit është gjallëruar nga tingujt dhe ngjyrat e kulturave botërore. Ky monument historik u kthye në një skenë shumëngjyrëshe nga tingujt dhe loja artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës dhe Valleve, organizuar nga World Festival Association.
Rreth 400 artistë nga vende të ndryshme të Europës dhe Ballkanit, mes tyre Ukraina, Polonia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Bosnja & Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Serbia sollën në skenë këngë e valle popullore, duke përcjellë përmes artit traditat e tyre kombëtare.
Spektakli shumëkulturor u u mirëprit nga publiku, i cili kishte mbushur gradinat e amfiteatrit. Hyrja e lirë bëri që qindra qytetarë dhe turistë të përjetonin nga afër një natë të veçantë, ku arti dhe folklori u bënë ura lidhëse mes popujve.
Përmes muzikës dhe kostumeve tradicionale, pjesëmarrësit ndanë me publikun një mozaik të pasur emocionesh dhe ngjyrash, duke i dhënë jetë një hapësire me mijëra vjet histori.
Ky festival është tashmë një ngjarje e përvitshme që ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor të qytetit dhe synon të vazhdojë edhe gjatë verës, duke e kthyer Durrësin në një pikë takimi të kulturave botërore. (A2 Televizion)