Nga brezi në brez, serenata rikthehet në rrugicat e Korçës

Nga Luela Myftari
18 Shtator 2026, 20:04 | Kulturë

Për ata që e kanë jetuar serenatën e dikurshme, ajo ishte më shumë se një këngë. Ishte një mënyrë për të jetuar bukur. 

"E kënduara e serenatave dikur kishte diçka tjetër. Ishte shumë e vështirë për këtë lloj muzike, por edhe shumë e bukur, sepse këndohej me një kitarë akustike, nëpër lagje të ndryshme. Ngjiteshin grupe djemsh, këndonin nëpër rrugica dhe përballë ballkoneve të shtëpive. Ishte diçka shumë e bukur, që sot, për fat të keq, nuk realizohet më", tregon Enver Goreni për A2CNN.

Dikur, dy-tre kitara mjaftonin për të mbushur sokakët e Korçës me këngë. Pandi Tasellari, një prej emrave të vjetër të Korit “Lira”, kujton netët kur serenata këndohej nëpër rrugët e qytetit: "Serenatën e këndonim me dy-tre kitara, dilnim sokakëve duke kënduar. Nga Çezmat e Reja, Shëndellia, të gjitha rrugët i kemi gjesdisur. Këtu i kemi serenatat që këndonim”.

Por, nëse mënyra e të kënduarit ka ndryshuar, dashuria për serenatën vazhdon të kalojë nga një brez tek tjetri. 

Erika Ahmeti shprehet: “Unë kam mësuar që e vogël të këndoj serenatën. Jam rritur me serenatat korçare dhe është kënaqësi të marr pjesë për vitin e tretë radhazi. Çdo moment të ditës serenatat i dëgjojmë, sidomos në Korçë”.

Katër netët e festivalit do të sjellin bashkë zërat e rinj dhe ata që e kanë mbajtur gjallë këtë traditë prej dekadash. Një udhëtim nga e kaluara drejt së tashmes, me serenatën si një nga shenjat më të njohura të identitetit kulturor të Korçës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos