I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr monumental i periudhës romake

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 08:38 | Kulturë

I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr

Zbulohet një varr monumental i periudhës romake i pari i llojit të tij në Shqipëri. Lajmin eka ndarë në rrjetet sociale Instituti i Arkeologjisë, sipas të cilit ai u zbulua në fshatin Strikcan të Bulqizës.

“Gjatë punimeve arkeologjike të kryera në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”,  drejtuar nga Akademiku Adem Bunguri dhe Msc.Erikson Nikolli ka dalë në dritë një varr monumental unikal, me dimensione të mëdha rreth 9 m x 6 m dhe dhoma funerare 2.40 m e lartë”, thuhet në postimin e Institutit të Arkeologjisë.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr

Ky monument përveç arkitekturës të veçantë përmbante dhe të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike, ku për herë të parë zbulohet një mbishkrim romak në zonën e Dibrës, bilingual, i cili i kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit.

Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë, por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr

Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale. Muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko të cilat ruhen ende. Përveç pjesës nëntokësore funerare, arkeologët kanë evidentuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mauzoleum.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr

Në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar, i cili pritet te analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, zbulohet një varr

Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë. Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s. Pritet që zbulimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja të cilat do të pasurojnë hartën arkeologjike të prapaktokës së territorit tonë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos