Drejtoresha e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, aktorja Zamira Kita, ka zbuluar detaje rreth edicionit të këtij viti të “Kokofest”, që do të mbahet në krye-qendrën e jug-lindjes së vendit.
Teksa ishte e në një lidhje live në ‘Ditarin e Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, Kita njoftoi se festivali do të zgjasë 7 ditë dhe do të mbledhë emra të njohur të skenës shqiptare, megjithëse komedia e planifikuar nuk do të jetë pjesë e programit.
Sipas Kitas, ishte planifikuar një shfaqje teatri nga Athina, një vepër kosovare e vënë në skenë nga regjisori greko-shqiptar Fejzollari. Por sipas saj, për shkak të një fatkeqësie familjare të aktores kryesore, shfaqja nuk u bë e mundur.
“Besoj se këto 7 ditë do të jenë të gëzuara, do të jetë një javë e plotë aktivitetesh. Këtë vit nuk patëm një komedi të gatshme për ‘Kokofest’, por kemi të ftuar shumë artistë të njohur”, tha Kita.
Në listën e të ftuarve, sipas Kitës, janë emra të njohur të skenës, si Yllka Mujo, Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, si dhe figura nga teatri shqiptar dhe ai i Shkupit, përfshirë Efe Abazin, Merita Çoçolin, Adem dhe Medrita Karagën.
Festivali do të zgjasë 7 ditë dhe disa artistë do të jenë të pranishëm sipas ditëve që kanë zgjedhur. (A2 Televizion)