“Koko Fest”, nis festivali i humorit në Korçë. Zgjat deri në 4 shtator

Nga A2 CNN
29 Gusht 2024, 14:42 | Kulturë

Në Korçë ka nisur festivali mbarëkombëtar i komedisë. Për të 11-tin vit me radhë vijon tradita e ngjitjes në skenën e teatrit të trupës më të mirë të humorit shqipfolës, mbështetur edhe nga pushteti vendor.

Për drejtoreshën e Teatrit, Zamira Kitën, nuk ka qenë aspak e lehtë për të organizuar kaq gjatë një festival si ky. Vështirësia e parë është te përzgjedhja e trupave pjesëmarrëse, teksa me shumë vështirësi është edhe sigurimi i fondeve për organizimin e festivalit të humorit. 

Aktori i njohur i humorit Arben Dervishi ka ardhur enkas nga SHBA për t’u bërë pjesë e këtij festivali me Karnavalet e Korçës, siç raporton A2.

Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka mendimin se kemi një rënie të krijimtarisë humoristike. Kjo vjen edhe për mungesë të krijuesve dhe regjisorëve, por që kurrsesi, sipas tij, nuk e zbeh aspak një festival si ky. 

Në natën e parë të festivalit është ngjitur në skenë trupa e Korçës me komedinë “Vassa Zheleznova” të Maksim Gorkit dhe regji të Enke Fezollarit, komedi e cila ka ngjitur në skenë aktorët e njohur Zamira Kita, Rita Xheka, Desara Xhangolli, Blerta Belliu dhe të tjerë.

Festivali mbyllet në datën 4 shtator me Karnavalet e Korçës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos