Kolonia artistike në Pogradec, kur artistët bashkojnë pikat që politika ndan

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
31 Gusht 2026, 15:29 | Kulturë

Pogradeci është kthyer në një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme të botës. Në qytetin e liqenit është çelur Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve, një aktivitet me traditë që prej viteve 2000.

Këtë vit, rreth 20 artistë nga më shumë se 10 vende, mes tyre Kosova, Serbia, Ukraina, Rusia, Meksika, Spanja, Franca dhe vende të tjera të Ballkanit, janë bërë bashkë si pjesë e një kolonie ku arti vizual është zëri i një realiteti tjetër.

Organizatori Sajmir Ahmeti e cilëson Pogradecin një muzë për artistët, ku përmes artit krijohen ura komunikimi mes kulturave të ndryshme.

"Është edhe krijimi i urave, i marrëdhënieve dhe i komunikimit mes njerëzve e kulturave. Këtu kemi artistë nga vende të Ballkanit, vende mes të cilave politika ndoshta nuk e ka gjetur gjithmonë gjuhën e përbashkët. Por artistët e kanë gjetur atë gjuhë. Ata e kanë krijuar dhe e kanë nisur këtë komunikim. Artistët krijojnë, artistët gjithmonë paraprijnë. Në fund të fundit, politika pastaj i ndjek", u shpreh Ahmeti.

"Ne të gjithë jemi artistë dhe, pavarësisht se nga cili vend vijmë, ajo që ka rëndësi është që të kemi një bisedë të mirë, një energji të mirë dhe ta përcjellim atë te njëri-tjetri", deklaroi Dhurata Begolli piktore nga Kosova.

Natyra, liqeni dhe mikpritja shqiptare janë kthyer në frymëzim për artistët, shumë prej të cilëve vizitojnë Shqipërinë për herë të parë.

"Nuk di si ta shpjegoj, por kam parë që njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe mikpritës. Ndihem shumë mirë dhe rehat me njerëzit shqiptarë", u shpreh Ekaterina Romanova, artiste nga Rusia.

"Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam ardhur nga Polonia, por kam lindur në Ukrainë, ndaj në njëfarë mënyre përfaqësoj të dyja këto vende. Nuk kisha pritshmëri të veçanta, sepse nuk kisha qenë më parë në Shqipëri. Thjesht doja të vija, të pikturoja së bashku me komunitetin dhe të ndaja frymëzimin tim. Por gjithçka e tejkaloi pritshmërinë time. Takova artistë të jashtëzakonshëm dhe më pëlqeu vërtet shumë Shqipëria", tha Ana Kostenko, piktore nga Polonia.

Piktorët përcollën një mesazh të përbashkët, arti nuk njeh kufij dhe krijon ura edhe aty ku politika nuk ka mundur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos