Konferenca e arkivistikës, studiuesit mblidhen këtë qershor në Prizren

Nga Luela Myftari
25 Shkurt 2026, 19:43 | Kulturë

 

Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit, Elbasanit dhe Shën Mitrit, Prizreni është ndalesa e radhës e kësaj konference periodike, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fton të gjithë të interesuarit, nëpunës dhe profesionistë të fushës së arkivistikës, të aplikojnë duke dërguar abstraktet në adresën botime.arkiva.gov.al deri më datë 5 prill. Pas shqyrtimit të abstrakteve të dërguara në shqip ose në anglisht, pranimi dhe pjesëmarrja në konferencë do t’ju njoftohen më datë 20 prill.

Në vazhdën e kësaj tradite 10-vjeçare, DPA dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (ASHAK) tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke vepruar të unifikuara, sepse së bashku ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe shërbejmë dokumentacionin e kombit shqiptar. Sikurse çdo vit, do të mblidhemi në një tjetër vatër të shqiptarisë për të bashkëndare rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar, shkruan A2 CNN.

Ftesa për pjesëmarrje në konferencë u drejtohet edhe institucioneve që ruajnë dokumente, si dhe atyre që ndërveprojnë me ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike dhe kulturore. Ky organizim i përvitshëm është një mundësi për të ndarë njohuritë, përvojat dhe idetë që do të kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare dhe institucionale të trojeve shqiptare.

Tematikat e propozuara për kumtuesit, të bëra publike në faqet tona zyrtare, lidhen me problematikat, metodologjinë e studimit, dixhitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetet e sotme, duke qenë se kjo ngjarje jubilare do të jetë në boshtin tematik të konferencës.

Materialet e paraqitura nga kumtuesit do të kurorëzohen me botimin e së vetmes revistë në fushën e arkivave anekënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”. Kjo revistë e përbashkët me ASHAK ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve simotra përgjatë 61 viteve të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos