Libri “Jam Mysliman”, reagon Ben Blushi: Nuk është kundër myslimanëve, por kundër fanatikëve

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 15:54 | Kulturë

Libri “Jam Mysliman”, reagon Ben Blushi: Nuk është

Pas publikimit të romanit të tij më të ri “Jam Mysliman”, shkrimtari Ben Blushi ka reaguar me një video në Facebook, ku u është përgjigjur komenteve dhe reagimeve të shumta që ka marrë ditët e fundit.

Ai theksoi se libri nuk është kundër myslimanëve, por kundër fanatizmit dhe radikalizmit, duke shtuar se e vlerëson humorin e qytetarëve që kanë kthyer kopertinën e romanit në meme.

“Ditët e fundit kanë marrë shumë mesazhe për romanin tim të ri: Jam Mysliman, disa prej tyre janë inkurajuese, disa janë entuziaste, e disa janë mosbesuese. Në disa raste kopertina e këtij romani është kthyer në meme dhe kjo më pëlqen shumë, disa prej këtyre memeve kam vendosur t’i postoj në faqen time në Facebook, ato kanë shumë humor. Për fat të keq, disa komente dhe disa meme janë shumë fyese. Unë i mirëkuptoj sërish të gjithë. Megjithatë, dua t’ju them diçka. Romani “Jam Mysliman”, nuk është kundër myslimanëve. Unë jetoj me myslimanët. Ata më rritën. Ata më mësuan se çfarë është mirë e çfarë është keq. Ata më mësuan si të dua. Unë i dua të gjithë myslimanët. Xhamia e myslimanëve që më rritën ishte familja. Zoti i tyre ishte dashuria. Feja e tyre ishte nderi. Unë jam po aq mysliman sa ata.

Gjyshja ime ishte myslimane. Gjyshja e fëmijëve të mi është myslimane. Unë besoj se myslimanët shqiptarë janë më liberalët në botë dhe ky libër i dedikohet pikërisht atyre. Romani “Jam Mysliman” tregon jetën e një shkrimtari, i cili pasi shkojë në Mekë u kthye në mysliman, por njëlloj si unë edhe ai pati një betejë me fanatikët, me radikalët, me ata që e kthejnë fenë në armë, me ata që e kthejnë fenë në ushtri, me ata që e detyrojnë Zotin të duket si pushtues, me ata që fyejnë, me ata që e ndalojnë dashurinë, me ata që e mbulojnë bukurinë e grave me perde, me ata që janë kundër artit, kundër shkencës dhe kundër përparimit.

Jam Mysliman është kundër fanatikëve, kundër atyre që duan të kufizojnë liritë tona. Ai nuk është një trakt, asnjë akuzë.

Sa më shumë humor dhe unë do t’i postojë të gjitha memet tuaja në Facebook”, tha Blushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos