Një ripërfytyrim brilant i aventurave të Hakëlberi Finit, sa tronditës aq edhe satirik, i treguar nga këndvështrimi i skllavit Xhim, vjen në shqip, përkthyer nga Virgjil Muçi.
Nëse jeni admirues të klasikëve të Mark Tueinit, nëse keni lexuar më herët për Hakëlberi Finin, atëherë me siguri do të tundoheni që këtë nëntor të merrni edhe “Xhejms”, historinë e një skllavi që përpiqet t’i shpëtojë nënshtrimit dhe që, në arratisjen e tij, tregon jetën e vërtetë të Amerikës.
Vazhdimin e një historie si ajo e Mark Tueinit e rimerr shkrimtari Percival Everett, fitues i çmimit Pulitzer, që në shqip vjen përkthyer me shumë përkushtim nga Virgjil Muçi.
Virgjil Muçi, përkthyes: Humori, stili dhe mprehtësia që e dallojnë këtë libër e kanë bërë Everett-in një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të brezit të tij dhe që, sipas kritikëve dhe lexuesve, do të bëhet një gur themeli në historinë e letërsisë amerikane.
Kur skllavi Xhim dëgjon se do të shitet një burri në Nju Orlins, i ndarë përgjithmonë nga e bija dhe gruaja, ai vendos të arratiset e të fshihet në ishullin Xhekson aty pranë, për të hartuar një plan shpëtimi për familjen, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, Hak Fini ka falsifikuar vdekjen e vet për t’i shpëtuar të atit të dhunshëm, i cili është kthyer së fundmi në qytet.
Siç e dinë të gjithë lexuesit e “Aventurave të Hakëlberi Finit”, kështu fillon udhëtimi i rrezikshëm – me trap, teposhtë lumit Misisipi – i këtyre dy personazheve të paharrueshëm të letërsisë amerikane, drejt premtimit të pakapshëm dhe shpesh të pabesueshëm të Shteteve të Lira.
Percival Everett e merr kryeveprën e Mark Tueinit dhe e tregon historinë nga një perspektivë e ndryshme – ajo e Xhejmsit, i njohur nga të gjithë si Xhimi – duke zbuluar inteligjencën, dashurinë, përkushtimin, guximin dhe humanizmin e Njeriut, që bëhet protagonisti i vërtetë i romanit.
Një burrë që vendos të zgjedhë lirinë me çdo kusht, për t’u quajtur me emrin e tij të vërtetë – Xhejms – dhe jo Xhim, nofka përçmuese që përdornin të bardhët për të treguar personat me ngjyrë.
“Xhejms” është një libër i shkëlqyer që tregon pa frikë historinë e vërtetë të Amerikës, abuzimet dhe dhunën që e kanë shënjuar. (A2 Televizion)
