Një përrallë muzikore ku muzika, fjala dhe lëvizja bashkohen për të treguar historinë e një ushtari që i shet shpirtin dhe violinën e tij djallit, një metaforë e fuqishme që mbetet e gjallë në çdo kohë dhe i flet çdo brezi, është rikthyer pas shumë vitesh.
Kjo vepër u interpretua nga instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi dhe aktores Ema Andrea, duke sjellë për publikun një përjetim artistik të veçantë dhe emocional, shkruan A2 CNN.
Për instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, kjo vepër është një sfidë e vërtetë artistike, që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe ndjeshmëri të thellë muzikore.
Me ironinë, ritmin dhe poezinë e saj, “Historia e Ushtarit” ringjalli emocione të forta tek artdashësit durrsakë, duke dëshmuar se arti i vërtetë është i përjetshëm dhe pa kufij. (A2 Televizion)
