Në një ceremoni solemne, Universiteti i Tiranës i akordoi akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur Sabri Hamiti titullin më të lartë “Honoris Causa”. Vlerësimi u dha si mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë dhe për rolin bashkues mes kulturës shqiptare të Shqipërisë e Kosovës.
Akademiku, profesor doktor Sabri Hamiti, u nderua me titullin më të lartë të Universitetit të Tiranës – Honoris Causa. Ky vlerësim përbën një nga momentet më të rëndësishme në jetën akademike të profesor Hamitit, i cili prej dekadash njihet si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai është studiues, dijetar, kritik letrar, poet, dramaturg, pedagog dhe politikan, me një kontribut të gjatë në shtatë legjislatura në Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën e tij, akademiku u shpreh se ky titull është një nder i madh dhe një vlerësim që i përket njëherazi letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në degën e studimeve për letërsi një pjesë e librave mbështeten në veprat dhe kontributin e Sabri Hamitit.
Ai ndaloi gjithashtu te disa prej frymëzuesve të tij letrarë, duke ndarë me studentët përvoja e reflektime mbi artin e shkrimit. Në mesin e krijimtarisë së tij të gjerë letrare, veçohen dy romane që nuk duhen lënë pa lexuar: “Njeriu vdes i ri” në 1972 dhe “Njëqind vjet vetmi” në 1976. Këto vepra mbeten dëshmi e fuqisë krijuese dhe e ndikimit të Sabri Hamitit në letërsinë shqipe moderne. (A2 Televizion)
