
Poetja dhe autorja Meri Myftari është vlerësuar me Çmimin “Agim Doçi” për tekstin më të mirë për këngë, në kuadër të Festivalit Kombëtar Letrar 2025 që u mbajt mbrëmë në Tiranë.
Ky çmim, që mban emrin e një prej figurave më të dashura të poezisë shqiptare, për Merin përfaqëson një moment të veçantë në rrugëtimin e saj krijues.
“Ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për mua, duke mbajtur emrin e një ikone të fjalës. Është një motivim i madh për të vazhduar rrugëtimin e fjalës,” u shpreh poetja pas marrjes së çmimit.
Meri Myftar është një emër i njohur i letrave.
Ajo ka botuar dy libra me poezi nga shtëpia botuese B&B:
Mos i thuaj lamtumirë botës
Fytyrat e kohës, i botuar edhe në gjuhën angleze.
Krijimtaria e Myftar shtrihet edhe në muzikë. Kompozitori i njohur Naim Gjoshi ka vënë në melodi tekstin e saj poetik "Moj e vogël".
Ndërkohë, kënga e titulluar "Vari leshte" me tekst nga autorja, ka shpërthyer në një fenomen në rrjetet sociale, duke u bërë virale dhe duke dëshmuar ndikimin e fjalës së saj të drejtpërdrejtë në publikun e gjerë.
Ky çmim i fundit në Festivalin Letrar konfirmon Meri Myftarin si një nga zërat më të talentuar dhe më të gjithanshëm të poezisë.
Festivali u organizua me mbështetjen e producentes Adelina Pali, dhe mblodhi krijues nga e gjithë Shqipëria në një mbrëmje ku fjala poetike u bë këngë, mes duartrokitjesh dhe emocioneve të sinqerta. (A2 Televizion)
