Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa i janë bashkuar trupës teatrale të Durrësit, për të sjellë jo vetëm dritën që vjen nga “Fjalët e qiririt”, por edhe shkëlqimin që merr një kullë veneciane kur interpretohen vargjet e një rilindasi.
Aktorja e njohur Yllka Mujo u shpreh se poezia e Naim Frashërit mbetet një pasuri e shpirtit shqiptar, ndërsa aktori Ndriçim Xhepa shtoi se fuqia e fjalës së Naimit është e përjetshme.
“Poezia e Naimit është një thesar që e ndien brenda çdo shqiptari. Të rikthesh në skenë vargjet e tij është si të prekësh rrënjët e identitetit tonë”, tha ajo, tha Yllka Mujo.
“Naimi është frymëzues, sepse flet me ndjenjë të thellë për dashurinë, për atdheun dhe për njeriun”, u shpreh Ndriçim Xhepa.
Në mbrëmje u prezantua edhe një skicë-portret e Naim Frashërit, realizuar nga drejtoresha e Qendrës Kulturore të Durrësit, piktorja Alketa Tragaj, e cila tha se ngjarja ishte një mënyrë për t’i dhënë formë vizuale mirënjohjes ndaj rilindasit.
“Kjo mbrëmje është një homazh artistik për Naimin, për figurën e tij që vazhdon të frymëzojë breza të tërë”, tha Alketa Tragaj, piktore.
Kulla Veneciane e Durrësit u kthye në një hapësirë reflektimi dhe nderimi për figurën e Naim Frashërit, në kuadër të 125-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. (A2 Televizion)