Aktori i njohur Neritan Liçaj, i ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, foli gjerësisht për rolin e tij në një projekt artistik që lidhet me figurën e Enver Hoxhës, por edhe për qëndrimin e tij personal ndaj diktatorit komunist. Ai theksoi se ky rol nuk ia ka ndryshuar aspak mendimin për Hoxhën, pasi, siç tha, “nuk kam qenë kurrë i mendimit që Enver Hoxha ka qenë burrë i mirë”.
Sipas Liçajt, Hoxha nuk mund të vlerësohet për industrializimin apo “sigurinë” e kohës së tij, sepse ato ishin produkte të diktatit dhe të varësisë nga Lindja. “Jo po bëri fabrika... I bëri rusi dhe kinezi. Jo po kishte siguri... Kishte diktat, jo siguri”, u shpreh aktori.
Ai tregoi se për të ndërtuar rolin ishte marrë thellësisht me figurën e Hoxhës, duke u konsultuar me njerëz që kishin qenë pranë tij, për të kuptuar jo vetëm dimensionin politik, por edhe anën njerëzore të diktatorit. “Ai kishte krijuar një frymë, pëlqeje apo jo, ekziston ende sot hoxhizmi. Ka trushpëlarë që i shkojnë te varri”, shtoi Liçaj në “Dita jonë” në A2 CNN.
Aktori kritikoi ashpër trashëgiminë e regjimit komunist, duke e quajtur atë një periudhë që shkatërroi shoqërinë shqiptare. “Enver Hoxha i mori gjithçka popullit të vet: pasuritë, pronat, nderin, dinjitetin, fjalën, mendimin. Ai ishte i shitur te serbët, rusët dhe kinezët, tek të gjithë armiqtë historikë të kombit tonë. Pse duhej të shkonim në Lindje, kur ne jemi perëndimorë?”, u shpreh ai.
Liçaj shtoi se pasojat e ideologjisë komuniste ndihen ende sot, në ndarjet shoqërore e rajonale. “Komunizmi çau familjet, fshatrat, bashkësitë. Krijoi ndarje veri-jug që ende i vuajmë sot”, tha ai, duke e cilësuar këtë “trashëgiminë më të hidhur të ideologjisë së Marksit dhe Engelsit”. “Dy të tretat e Shqipërisë janë kodrinore e malore. Pse ai që vjen nga mali nuk ka të drejta si ai nga fusha? Kjo frymë përçmuese e mbjellë nga komunizmi duhet të marrë fund”. (A2 Televizion)
