
Kalaja e Elbasanit perveç vlerave kulturore, arkitektonike dhe historike që mbart, vijon të fshehë mes rrënojash edhe burgun famëkeq nr.13. Muret dhe kangjellat e këtij burgu, që ngjallte frikë dhe terror, janë po të njëjtat mes mureve të gurta, harresës dhe bimësisë.
Para se të identifikoheshin burgjet e Bënçës apo Spaçit, ata që mendonin ndryshe në vitet e pas çlirimit mbaheshin pikërisht në këtë burg. Por çfarë përfaqësonte ky burg dhe cilët ishin shtresat e popullatës që janë mbajtur në një zonë, që ndër vite është njohur për një bashkëjetesë të shkëlqyer ndërfetare me Xhami dhe kishë pranë njëra-tjetrës.
Ky burg ndër të vetmit që ka vijuar funksionin e tij mes kalave historike në vend, shërbeu si i tillë deri në vitin 1953, ku me sa duket nevoja për të zgjeruar ambientet e burgimit detyroi autoritet që të burgosurit që mbaheshin atje t’i dërgonin në burgjet e Peqinit dhe Burrelit të ndërtuar në atë kohë.
Njohës të historisë së burgut konfirmojnë se atje futeshin njerëz pa dallime se çfarë përfaqësonin, shkruan A2 CNN.
Një tjetërbanor i kalasë, kujton edhe sot xhaxhanë e tij që u mbajt në atë burg se nuk pranoi të dorëzonte pasurinë tek pushteti i atëhershëm popullor.
Madje për shkak të asaj që ka mësuar në atë kohë për burgun 13, ka patur frikë të kalojë pranë tij edhe pas transferimit të të burgosurve.
Ashtu si kalaja dhe objektet e saj fetare e kulturore, edhe ky burg është një pjesë e të kaluarës të qytetit dhe banorëve të Elbasanit. Rikthimi i tij në identitetin historik nuk është vetëm një projekt restaurimi, por do të jetë edhe një homazh për ata që u burgosën pa faj, si dhe një mësim që nuk duhet harruar për të mos u përsëritur më kurrë.
(A2 Televizion)
