Veza, produkti simbol i festës së Pashkës, është shndërruar në art nga disa artistë të huaj. Piktorë nga Ukraina, Rumania dhe Polonia janë bërë bashkë në Korçë, ku kanë hapur një ekspozitë me vezë të dekoruara.
Kjo është ekspozita e parë e këtij lloji, ku vezët janë dekoruar jo vetëm me simbole fetare, shkruan A2.
Kuratorja e kësaj ekspozite, Maria Shukulli, thotë se i është dashur me tepër se 12 muaj për të grumbulluar këto vezë, e për t'i sjellë në një ekspozitë: “Kjo është ekspozita e parë që ndodh jo vetëm në Shqipëri, por në rajonin e Ballkanit, pasi kjo traditë është e përqendruar në Europë si Ukrainë, Poloni, Rumani, aty ku grumbulluam vezët. Të veçantë e bën fakti që veza shfaq fillimin e ri, brenda këtij simboli fshihet botë e tërë. Diçka e vogël mban botë të tërë kuptimesh. U zgjodh Korça pasi të gjithë e dinë si festohen pashkët në Korçë, dhuratë për qytetin”.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi, tregon se kuptimi i vezës flet mbi jetën, ashtu siç flet për jetën e ringjallur të Krishtit Jezus: “Veza është simbol i jetës, i lyejmë të kuqe për të simbolizuar se nga varri i Krishtit nisi jetë e re dhe e gëzueshme. Ka tradita të shumta që e caktojnë si u vendos në këtë kuptim sot por dua të ngelemi tek gëzimi. Ashtu siç zogu can vezën nga brenda e del jashtë, kështu Krishti doli jashtë nga varri e solli jetën e re”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, ndërsa synon të kthehet në një traditë për qytetin e Korçës. (A2 Televizion)