Kol Susaj, thesari i muzikës popullore nga Tropoja që frymëzon mbarë Shqipërinë

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 21:07 | Kulturë

Kol Susaj, thesari i muzikës popullore nga Tropoja që frymëzon

Kol Susaj është kompozitori i mirënjohur nga Tropoja që ka krijuar thesarin e rrallë të këngëve popullore qytetare të cilat i këndon sot e kësaj dite mbarë shqiptaria.

Mjafton të përmendim "Shqipëri o nëna ime", "Jakup Ferri", "Fryn veriu" që ndryshe në popull njihet si "Ma ngrin zogun për hava", "Valbonë moj Valbonë", "Bien tupanat", "Liridona" etj, etj.

Ai është kompozitori që lançoi në skenën fillimisht të vogël tropojane e pastaj të të gjithë Shqipërisë këngëtarët Gëzim Nika, Fatmira Breçani, Zef Beka etj.

Karriera e tij muzikore është ajo e rekordeve artistike: 400 këngë të krijuara, 40 prej të cilave janë hite të padiskutueshme dhe një bashkëpunim me fat për të dyja palët me 120 këngëtarë. Ai u bë kumbari i tyre në karrierën e cila i çoi në mbarë botën. Por për Gëzim Nikën u bë "kumbarë" edhe në martesë pasi kur doli në skenë e këndoi për herë të parë këngën "Jakup Ferri" e adhuroi dhe dashuroi edhe një valltare e re e asaj kohe, sot bashkëshortja e tij Angjelina Nika, koreografe.

Miqtë e njohin Kolën si burrë modest me sens të fortë humori. Në disa nga këngët e tij si“Ma ka luajt djali kapuçin”apo “Plak u bafsha po s’të mora”, kjo premisë e karakterit artistik duket që në titull.

Ai rrëfehet në emisionin " Temp" në a2cnn me Suela Demirin: "Artin dhe muzikën e gjeta mes malësorëve. Shtëpia e malësorit ka qënë vatra e kulturës edhe kur nuk kishte vatër kulture. Një instrument në cdo kullë, një këngëtar e poet në çdo fshat".

Kol Susaj flet me modesti për karrierën e tij, të cilën e ka zili dhe e admiron çdo kompozitor shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos