Pas pranimit të lahutës në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, një nga zërat kryesorë që hedh dritë mbi këtë proces të gjatë dhe kompleks është studiuesja Armanda Hysa, autore e dy dosjeve të dorëzuara në UNESCO. Në një intervistë për emisionin Kult në A2 CNN, me moderatore Luela Myftarin, Hysa rrëfen jo vetëm strategjinë e ndjekur, por edhe emocionet, debatet dhe sfidat politike që shoqëruan këtë proces.
Sipas saj, puna për eposin dhe lahutën kishte nisur shumë herët, që rreth vitit 2010, nga studiues shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë. Lahuta shihej si e pandarë nga eposi i kreshnikëve, i transmetuar brez pas brezi përmes kujtesës historike dhe kulturore. Megjithatë, kjo përpjekje mbeti pezull për vite me radhë për një arsye thelbësore: Kosova nuk u pranua si anëtare e UNESCO-s në vitin 2016, çka e pamundësonte një aplikim të përbashkët Shqipëri–Kosovë.
Situata u bë edhe më urgjente kur u vu re rënia e numrit të bartësve të traditës dhe rreziku real që lahuta të humbiste vazhdimësinë e saj. Një “wake up call”, siç e cilëson Hysa, ishte viti 2018, kur Serbia dorëzoi dosjen e saj për guslën në UNESCO. Ky veprim shkaktoi debate të forta publike në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht në Kosovë, ku reagimet ishin edhe më të ashpra.
“Emocionalisht më erdhi keq”, shprehet Hysa në A2 CNN, duke theksuar se puna shqiptare për eposin kishte nisur shumë më herët. Megjithatë, ajo nënvizon se Serbia kishte të drejtën e saj për të aplikuar dhe se keqkuptimi më i madh ishte perceptimi se UNESCO vendos “vulë përkatësie” apo origjine. “UNESCO nuk certifikon pronësi, vjetërsie apo përkatësie. Ajo njeh dhe mbron praktika kulturore”, thekson studiuesja.

Debati i vitit 2018, sipas saj, pati edhe anën pozitive: tronditi institucionet dhe studiuesit shqiptarë, duke i nxitur të veprojnë më shpejt dhe më me vetëdije. “Nuk duhet të jemi vetëm reagues, të zgjohemi vetëm kur vepron komshiu. Duhet të mendojmë vetë për vazhdimësinë e trashëgimisë sonë”, shprehet Hysa.
Procesi i aplikimit nuk ishte i thjeshtë. Këtë herë u hartuan dy dosje të veçanta: një për regjistrimin e elementit “lahuta” dhe një tjetër për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare për masat shpëtuese dhe ruajtëse. Gjatë procesit, UNESCO ndryshoi strukturën dhe formularët e aplikimit, duke detyruar ekipin të rifillonte punën nga e para, paralelisht edhe për elementë të tjerë si kërcimi i Tropojës.
Dosja përfshinte plane konkrete veprimi, aktivitete të detajuara, buxhete realiste dhe propozime që vinin drejtpërdrejt nga komuniteti i lahutarëve, në koordinim me Ministrinë e Kulturës. Buxheti i kërkuar për masat shpëtuese arrinte në rreth 156 mijë dollarë, një shifër që pasqyronte seriozitetin dhe kompleksitetin e ndërhyrjeve të nevojshme.
Momentin e dorëzimit të dosjes, Hysa nuk e përshkruan si gëzim, por si një çlirim nga një barrë e madhe. “Ishim pa gjumë për ditë të tëra, duke kontrolluar çdo detaj, çdo ‘milimetër’ të dosjes. Kur u siguruam që gjithçka ishte në rregull, thamë: të paktën ne e kemi bërë punën tonë dhe e kemi ndërgjegjen e qetë,” rrëfen ajo.
Edhe pse ekzistonte frika e pengesave politike ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të ngjashmërisë me guslën, fakti që elementët janë të regjistruar me emra të ndryshëm dhe në lista të ndryshme të UNESCO-s u pa si një avantazh. (A2 Televizion)