Shqipëria dhe Kosova këtë vit kanë hapësirën e tyre në Festivalin e Kanës. Të dyja së bashku janë aty me kineastë dhe producentë të njohur që përpiqen të rrëfejnë idetë, por edhe realitetin në Shqipëri e Kosovë.
“Është koha që bota kinematografike të na njohë”, thotë Sabina Kodra, si producente nga Kana. Ndërsa për kryeministrin e Kosovës, një arritje më shumë në përpjekjet e artistëve shqiptarë, shkruan A2.
Sabina Kodra: Të jesh producente shqiptare në Kanë, një udhërrëfyes mbijetese.
Të jesh producente shqiptare në Festivalin e Kanës është si të hidhesh në një det plot me peshkaqenë - por me çantë Chanel fallco nga Pazari i Ri dhe shpresë që askush nuk do ta kuptojë! Dita fillon me “Bonjour” perfekt të stërvitur para pasqyrës, por përfundon duke folur shqip me veten në tualet pasi askush nuk e kuptoi idenë për filmin e ardhshëm.
Ndërsa yjet e Hollyëood-it zhvendosen me Bentley, ti bën “llogaritë e shtëpisë” sa herë merr një taksi, duke menduar: “Sa ditë xhirim në Tiranë do më kushtonte kjo rrugë?”
Në pritjet zyrtare, kur të pyesin “cili është buxheti juaj vjetor?”, ti qesh me elegancë dhe thua “është në proces negocimi”.
Në biseda me investitorë, përpiqesh të shpjegosh se Shqipëria ka lokacione mahnitëse për xhirim, por gjysma mendojnë se është një shtet i ri i krijuar pas luftës në Jugosllavi, dhe gjysma tjetër pyesin nëse mund të xhirojnë në vilën e Enver Hoxhës e cila nuk ekziston më.
Por pavarësisht çmimeve stratosferike, takimeve që kthehen në leksione gjeografie dhe pyetjeve “A ka Shqipëria kinema?”, kthehesh me kokën lart e me besimin se dikur edhe ne do jemi më shumë se një shprehje gjeografike në hartën e kinematografisë botërore.
Sepse të jesh producente shqiptare në Kanë nuk është thjesht profesion - është sport ekstrem, art rezistence dhe dashuri e pakushtëzuar për një kinematografi që, pavarësisht sfidave, vazhdon të tregojë histori që meritojnë të dëgjohen!
Ah se harrova, kur kthehesh në Shqipëri, të pyesin: “Takove ndonjë yll Hollywoodi?”, ndërsa ti buzëqesh duke ditur se tapeti i kuq është vetëm një foto në Insta.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë vite punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh, përshtatje vizioni artistik për distribuim dhe promovim ndërkombëtar e vendor, në mënyrë që produkti kinematografik një orësh e gjysmë të shfaqet i përfunduar në ekranin e madh. Sipas tij, këtë vit, QKK me kineastët e Kosovës, gjenden në Kanë për të kryer pikërisht disa nga këto punë. “Qendra Kinematografike e Kosovës ka ngritur përsëri shtandin në Marketin e Festivalit të Filmit në Kanë për vitin 2025, përsëri së bashku me Shqipërinë. Mirëmbajtja e bashkëpunimeve të vjetra e fillimi i atyre të rejave është synimi. Ndërsa, për kineastët, Samir Karahoda, Kaltrina Krasniqi dhe Sami Mustafa, ky edicion i Kanës shërben për të shtyer përpara zhvillimin e projekteve të tyre filmike, respektivisht, “Imazhe të Humbura”, “Bleach” dhe “Symphony of Season””, thekson Kurti.
Shqipërisnë dhe Kosovën në festivalin e Kanës mund ta vizitoni në International Village Riviera, Pavijoni numër 137, deri të mërkurën, me 21 maj 2025. (A2 Televizion)