Tinguj dhe zëra, artistët e vegjël në skenën e madhe të Teatrit të Operas

Nga Luela Myftari
15 Mars 2026, 16:02 | Kulturë

Në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, këtë herë nuk ngjiten vetëm artistë të mëdhenj. Skena i përket atyre që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre në muzikë: fëmijëve.

Me duar të vogla që prekin tastet e pianos, me harkë që rrëshqasin mbi tela dhe me zëra të pastër që mbushin sallën, nxënës nga klasa e parë deri në klasën e tetë sjellin një koncert ku talenti takohet me ëndrrën, shkruan A2.

Në repertorin e tyre udhëtojnë nga ritmet e gjalla të tarantelës italiane, te meloditë epike të kolonës zanore të Game of Thrones, e deri te tingujt e ndjerë të muzikës së filmit Një vonesë e vogël.

Në këtë skenë, çdo notë është një hap i parë drejt botës së madhe të artit. Pianistë të vegjël, instrumentistë në harqe dhe kori i fëmijëve ndërthuren në një mozaik emocionesh, ndërsa mësuesit e tyre, dirigjentë dhe udhërrëfyes në këtë rrugë, i drejtojnë me kujdes e përkushtim.

Është një koncert që nuk matet vetëm me perfeksionin e tingujve, por me pastërtinë e entuziazmit. Sepse kur arti lind kaq herët, në duart dhe zërat e fëmijëve, ai mbart edhe premtimin e së ardhmes.

Në këtë mbrëmje, skena nuk është vetëm një vend performimi – është një vend ku ëndrrat e vogla marrin formë dhe ku publiku zbulon artistët e nesërm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos