
Revolta e mjeshtrit të qeramikës Vasillaq Kolevica ekspozohet në Korçë. I njohur për punimet në baltë ai sjell një panoramë të asaj që e quan "Shoqëri spermatozoidesh të ngordhur", këtë herë në një instalacion në qeramikë.
Mjeshtri i punimit të baltës Vasillaq Kolevica ka vendosur të bëjë art duke futur brenda edhe revoltën e tij me situatën aktuale në Shqipëri.
"Spermatozoidët" e ka quajtur Kolevica veprën e tij të fundit për të rrëfyer përmes një instalacioni se sa bosh dhe të shurdhët e sheh shoqërinë shqiptare në këtë moment. Artisti tregon për A2 CNN se kjo ide u rrit edhe më shumë pas zgjedhjeve të fundit të shqiptarëve.
“Eshtë një instalacion, spermatozoidët, por janë të pafekonduar, të shurdhuar, ata që dalin jashtë përdorimit e shkojnë në kutia dhe hedhin votën pa e menduar fare. Ky ishte qëllimi. Shikoj këtë popull, pa tru në kokë, i sheh zgjedhjet si një ndeshje futbolli”, tha artisti për A2 CNN.
Korçari Vasillaq Kolevica tregon se këtë herë nuk bëri vetëm një apo dy punime në baltë por shumë pasi kështu e sheh shumicën e shoqërisë shqiptare sot.
“Kështu janë shumica që kanë ngelur. Të hedhur kot. Të paplotësuar që nuk krijojnë fetus. Edhe këtë instalacion ku ta bëj pa një mbështetje financiare. Këta edhe po të marrin vesh qëllimin, nuk te financojnë, nuk te japin asgjë. Duhet të rrijë në një ekspozitë, artisti po nuk ja demonstroi artdashësve, mbështetje, këta të vënë shkopinj nëpër këmbë.”
Vasillaq Kolevica njihet si një nga mjeshtrat e fundit dhe më të mirë të punimit të baltës në Shqipëri ndërsa vlerësimet nga ekspozimi i punës së tij kanë qenë të shumta. (A2 Televizion)