
Lahuta nuk është vetëm një instrument muzikor, për malësorët që e mbajnë në çdo odë përcjell histori trimërie, ngjarje të jetës dhe kujtesën kolektive të brezave. Është një instrument që shpreh edhe ndjeshmërinë e malësorit të trashëguar ndër breza dhe ndër shekuj. Në Tropojë 73-vjecari Ramë Dollapi, është një nga ata që po përpiqet të trashëgojë traditën e këtij instrumenti në familjen e tij.
Mbrojtja nga UNESCO si dhe veprimet individuale për të ruajtur këtë trashëgimi tashmë me vlera botërore, për 73-vjecarin janë të pamjaftueshme, nëse institucionet kulturore veçanërisht në veri të vendit nuk do ta kenë mësimin e lahutës në prioritet të politikave të tyre.
Përfshirja e lahutës shqiptare në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s erdhi si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor, i udhëhequr nga një grup studiuesish të trashëgimisë kulturore dhe Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. (A2 Televizion)