Zonjat që bëjnë filma, gratë e Ballkanit ri-imagjinojnë kinemanë në rajon

Nga Luela Myftari
27 Shkurt 2026, 15:47 | Kulturë

Ato duan të thyejnë kornizat dhe të riimagjinojnë kinemanë. Janë bërë bashkë Albanian Women in Audiovisual, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe në partneritet me KUB Tirana, për të nxitur debate që përfshijnë kinemanë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në gjithë rajonin. Megjithatë, zëri kryesor në këtë konferencë ishte ai i grave dhe vajzave që dinë të flasin edhe me vepra, pra me filmat që realizojnë.

“Shumë çmime ndërkombëtare po fitohen nga profesioniste gra në sektorin audioviziv. Kemi ende të njëjtin problem, mungesën e producenteve gra, por po përpiqemi të inkurajojmë më shumë pjesëmarrje. Kemi profesioniste të reja, shumë këmbëngulëse në kuptimin pozitiv të fjalës, dhe ato paraqiten në çdo thirrje. Po përpiqemi t’i mbështesim”, thotë Sabina Kodra, Drejtore e Albanian Women in Audiovisual.

“Po i kushtojmë rëndësi të veçantë meritokracisë, në mënyrë që gratë të mos jenë thjesht një numër, por që forca e krijimtarisë së tyre të përcaktojë suksesin e sektorit të kinematografisë”, tha Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri.

“Gruaja nuk ka nevojë më të jetë në një tavolinë të kinemasë sepse e ka ndërtuar vetë tavolinën e saj”, tha Jonid Jorgji, drejtor i QKK.

Të ftuarit e konsideruan këtë konferencë si një përpjekje për të kaluar nga diskutimi në veprim konkret, duke synuar politika rajonale sipas standardeve evropiane.

Ndërkohë, Shqipëria është duke përgatitur ligjin e ri për kinematografinë, i cili parashikon për herë të parë mekanizma “tax incentive” për prodhimet vendase dhe të huaja. Këto stimuj fiskalë synojnë të tërheqin investime ndërkombëtare, të rrisin punësimin në sektorin kreativ dhe ta bëjnë vendin më konkurrues në hartën e bashkëprodhimeve europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos