Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se pas tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë qëndron kryeministri Edi Rama, raporton A2 CNN.
“Prej dy javësh, agjencitë e mëdha botërore të lajmeve, mediat ndërkombëtare qarkullojnë lajmin e eksportit nga Shqipëria të 100 kontejnerëve me dy anije të lëndëve të rrezikshme, në shkelje kjo, flagrante të marrëveshjes së Bazelit dhe akteve të tjera ndërkombëtare, në shkelje flagrante të çdo ligji të këtij vendi.
Ndonëse PD-ja denoncoi që në fillim eksportin e 100 kontejnerëve më lëndë të rrezikshme, helmuese nga Shqipëria, fillimisht destinacioni Trieste, por pasi gjykata e Triestes i ndaloi, destinacioni Tajlandë, qeveria shqiptare, autoritetet e këtij vendi, kanë aplikuar kodin e mafias, kodin e omertas, heshtje të plotë. Vetëm pas shqetësimeve të mëdha dhe interesit direkt të institucioneve ndërkombëtare, autoritetet shqiptare deklaruan se ne, nuk kemi autorizuar eksportin e kontejnerëve nga porti i Durrësit”, tha Berisha në një deklaratë publike nga banesa e tij ku qëndron në masën e sigurisë arrest shtëpie.
“Kjo deklaratë skandaloze e autoriteteve zyrtare shqiptare, fajëson ata dhe dëshmon se prapa tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve të vendeve të tjera, qëndrojnë autoritetet më të larta të vendit, qëndron Edi Rama. Në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mundet që një akt i tillë madhor, kërcënues për shëndetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve të tjera, të ndodhë pa autorizimin e një seri agjencish, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, pikërisht për të kontrolluar çdo produkt që prodhohet në këtë vend. Për të kontrolluar të gjitha mbetjet që prodhohen dhe pasojat e tyre mjedisore. Për të kontrolluar destinacionin e këtyre mbetjeve”.
Berisha gjithashtu akuzon institucionet e shtetit, si Policinë, Doganat, Shërbimin Informativ dhe Autoritetin Portal, se kanë heshtur para këtij skandali.
“Ky akt, ky eksport të cilin autoritetet shqiptare pretendojnë para botës, që nuk e kanë autorizuar dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale të këtij vendi, dhe porteve të tij. Dëshmon se njëlloj sikundër eksportohen rreth 100 kontejnerë me lëndë toksike, importohen dhjetëra, qindra kontejnerë me drogë, helme, lëndë toksike, të cilat flitet se vijnë në Shqipëri për tu ç’aktivizuar dhe groposur”.
Sipas Berishës, ka zëra se Edi Rama vazhdon biznesin e tij me lëndët kimike dhe helmuese, se lëndë të tilla ç’aktivizohen apo groposen në tunelet e vendit. “Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte kriminale të papërgjegjësisë ekstreme të narkoqeverisë ndaj qytetarëve dhe u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontejnerëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria. Të gjendet përmbajtja e tyre dhe kush qëndron mbrapa”. /A2CNN (A2 Televizion)