“Nga viti 2013 gjer më sot, në 10 vite, nga Shqipëria, sipas statistikave të Eurostat, u larguan në vendet e BE, 1.1 milionë shqiptarë, 80 përqind e tyre të rinj. 80 përqind e tyre nën moshën 40 vjeç.
Të ndalemi pak së bashku. Të supozojmë për një moment se ky vend ishte i pushtuar nga një pushtues i huaj. Dhe të mendojmë se gjatë këtij pushtimi, u larguan nga Shqipëria, 34 përqind e popullatës. A meritonte ky pushtues mallkim dhe urrejtje më të madhe për këtë që u bëri shqiptarëve? Këtë nuk ua bëri një pushtues shqiptarëve, këtë ua bëri një njeri”.
Kështu u shpreh Sali Berisha në një bashkëbisedim me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së këtë të hënë. Ai theksoi më tej se qeveria iu ka vrarë shpresën të rinjve duke mos i lënë të votojnë të lirë.
“E patë! Nëse nuk i lë njerëzit të votojnë të lirë, ti u vret shpresën atyre. Në çdo vend, qeveria ka plus-minuset e saj, por në 4 vjet, qytetarët marrin vendimin e tyre. Kurse këtu, ajo bandë që patë, ka dhjetëra vrasje të regjistruara. Ndonjëri që ishte aty, ka vrarë të fejuarën 15-vjeçare në gjumë. Dhe kjo nuk ka ndodhur para 30 vitesh apo 20 vitesh, kjo ka ndodhur para pak vitesh. Ai vrasës ishte këtu. Një prokuror e arrestoi atë, e solli në Tiranë. E kishte SKAP-i i partisë. Dhe SKAP-i i partisë pasi mori 1 milion, 2 milionë para droge prej tij, nuk janë organizatë ata, do shkojnë në Shkodër. Në Shkodër ai u lirua, ndaj dhe bënte ligjin në qendrat e votimit. Autokolona e asaj bande, me 6 vetura të blinduara, e shoqëruar nga policia, bënte në darkë mbledhje me ministren. Ja pse ikin shqiptarët, sepse pushtetin nuk e ndërrojnë dot me votë, sepse vota e tyre diktohet nga krimi dhe vota e tyre shndërrohet në krim. Erdhi në pushtet përfaqësuesi i tyre, çfarë bëjnë tani? Janë vërsulur me tërbimin më të madh mbi Shkodër, të shpërblehen me pallate, të shpërblehen me resorte”, tha Berisha. (A2 Televizion)