Nuk vonoi shumë përgjigja e Lulzim Bashës për Ilir Metën, pasi kreu i PL e bëri sot përgjegjës për ngjarjen e 21 Janarit.
“Njeriu me bllok” e quan Basha, ish-Presidentin, ndërsa Meta deklaroi se vrasjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë përgjegjësi e ministrit të Brendshëm në kohën kur ndodhi protesta, i cili sipas tij “ishte paralajmëruar për gjakderdhjen që pritej nga banditët e Edi Ramës”.
Më tej Basha e akuzon Metën se kur erdhi në pushtet shpërbleu me poste ata që i ka akuzuar më parë si pjesë e grupit të zjarrit në 21 Janar, ndërsa sot bën mbrojtësin e Sali Berishës.
“Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund. Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t'i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast. Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.” (A2 Televizion)