Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, doli në një konferencë për mediat këtë të hënë duke ngritur shqetësimin, sipas tij, se turizmi në vend po përjeton momente krize.
Sipas Metës, kjo situatë dëshpëruese në turizëm vjen si pasojë e mosmbështetjes nga ana e qeverisë.
“Jemi në kulmin e sezonit turistik, por edhe në momentin më dëshpërues që po përjeton jo vetëm ky sektor, por të gjithë ata që shërbejnë. Turizmi po lëngon si asnjëherë tjetër për shkak të mosmbështetjes nga qeveria. Kriza po tentohet të fshihet duke shpikur armiq të jashtëm. Këtu janë broçkulla sepse sot Shqipëria ka mangësi infrastrukturore, trafik mbytës e asfiksues. Për të vizituar disa nga perlat nuk ka as rrugë.
Sot dua të denoncojë braktisjen totale të kryeperlës së alpeve shqiptare nga Dobërdolli në Çerem nga ana e kësaj qeverie dhe kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme. Sot, në jug të vendit mungon për ditë të tëra uji i pijshëm dhe e gjithë Vlora e di dhe e vuan shumë. Kanalizimet dhe infrastruktura janë një problem madhor, pasi krijohen radhë kilometrike. Qëllimi i Edi Ramës nuk janë shërbimet bazike të qytetarëve, por vjedhja e tenderave”, tha Meta.
Meta u shpreh se në këtë situatë, nevojitet një plan konkret, i cili do të ndalonte edhe shpopullimin e vendit. (A2 Televizion)