Pa deputetët në krah, por të mbështetur nga zyrtarët e Rithemelimit, demokratët mbërritën në sheshin para Parlamentit, me thirrje për lirimin e Sali Berishës edhe pse në tubim ishin ftuar për akuzat e Rai 3 kundër qeverisë.
Protestuesit në duar mbanin pankarta duke etiketuar qeverinë si narkoshtet, por nuk kishin harruar as këtë herë dhe gomat e përdorura për t’u vënë flakën, vezët dhe flakadanët.
Në sheshin para Parlamentit ishte vendosur një ekran gjigant, ku protestuesit dëgjonin atë çfarë ndodhte në sallën e seancave plenare. Rrëzimi i kërkesave të opozitës nga Partia Socialiste, shtoi tensionet mes protestuese dhe gomave iu vu zjarri.
Tentativa e policisë për të shuar zjarrin, nxiti turmën drejt përplasjes fizike. Temperaturat e larta ulën ritmin e protestës dhe as thirrjet e Flamur Nokës, i cili iu bashkua protestës pas përjashtimit nga seanca, nuk mjaftuan më që demokratët të tentonin përsëri çarjen e kordonit të policisë.
“I themi Edi Ramës dhe narkove të tij, Shqipëria që të gjejë paqe do duhet që të ketë qeveri teknike. Beteja jonë për qeveri teknike është betejë e pandalshme”, tha Flamur Noka– deputet i PD.
Lodhja ishte e dukshme mes protestuesve dhe Noka njoftoi mbylljen e tubimit, por premtoi se beteja do të vijojë.
“Duke kuptuar këtë sakrificë në këtë vapë të madhe, ju bëj thirrje të hënën të jemi tek selia e 5D”, u shpreh Noka.
Pas më shumë se 2 orësh tubim, demokratët u larguan, ndërkohë i gjithë sheshi para Parlamentit u rrethua nga forcat e rendit, duke e konsideruar një skenë krimi. (A2 Televizion)