Sali Berisha riktheu zhurmën e opozitës në Parlament. Jo vetë ai fizikisht, por refuzimi i kërkesës së Gazment Bardhit për ta kthyer si deputet në grupin parlamentar demokrat nga ana e kryeparlamentares Lindita Nikolla.
“Në atë njoftim që keni bërë, ka një rast që është përjashtuar me vendim të PD, dhe duhet të futet në grup po me vendim të PD. Neni 116 i rregullores së Kuvendit më jep mua të gjitha atributet që të bëj interpretime”, tha Nikolla.
Për këtë situatë reagoi dhe Bylykbashi.
“Vendimi juaj për të lënë jashtë pavarësisht vendimit të grupit parlamentat të një deputeti, në mënyrë të veçantë kreun e partisë demokratike, Sali berishën, është veprim haptazi, i qëllimshëm antikushtetues”, tha deputeti demokrat.
Shumë deputetë kërkuan fjalën në mbrojtje të kreut të Rithemelimi, i cili me gjasa po i shihte nga ekrani, por Edmond Spaho shprehu edhe një dëshirë tjetër, e cila më vonë u cilësua si keqkuptim.
“Shkresa që ju ka ardhur nga kryetari ju detyron juve të njoftoni që Sali Berisha është kryetar i grupit parlamentar të PD”, deklaroi Spaho.
Për të mbajtur të karikuar protestën para Parlamentit, ku në monitor transmetohej edhe seanca, deputetët e opozitës qëndruan në këmbë duke bllokuar foltoren. Nga ky veprim u ndëshkua vetëm Flamur Noka, i cili u përfshi në debate me Lindita Nikollën.
“Je i përjashtuar nga seanca. Ti je një përfaqësues i non gratës”, deklaroi kryetarja e Kuvendit. Ndërsa Noka u përgjigj “Zonjë, ti je përfaqësuese e narko shtetit”
Në një moment hutimi nga ana e Nikollës, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin mori në dorë situatën duke i treguar drejtueses së si të veprojë.
Për shkak të një udhëtimi në Paris, Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancë, por kjo nuk e pengoi Gazment Bardhin që të tregonte në Parlament bisedat e deputeteve socialistë në kafe, si për të konfirmuar akuzat e shprehura nga Arben Ahmetaj në investigimin e RAI3.
“A nuk jeni ju që përshpërisni njëlloi si Arben Ahmetaj, nëpër kafet e kuvendit dhe në çdo kafe tjetër se po shtetasi Ergys Agasi është kordinatori i posaçëm i Edi Ramës me krimin e organizuar. Njeriun e Agasit e emëroi drejtues të SHISH, dhe sot SHISH i shërben krimit të organizuar”, u shpreh kreu i grupit të PD.
Mazhoranca shfrytëzoi forcën e kartonit për të rrëzuar kërkesën e opozitës për mocion me debat, mbi lidhjet e politikës me krimin, pas investigimit italian. (A2 Televizion)