Protesta e qytetarëve që vijon prej 54 ditësh në bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet dhe kërkesat e protestuesve, ka ndezur debatin në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN mes gazetarit Andri Bala dhe aktivistes Evi Çepani.
Në këndvështrimin e gazetarit Bala, nëse protesta ka mbledhur 300 mijë apo 500 mijë qytetarë, atëherë kjo do të ishte një mbështetje e mjaftueshme për të fituar zgjedhjet, duke theksuar se problemi nuk është vetëm evidentimi i problematikave, por paraqitja e zgjidhjeve konkrete.
“Pretendon se ke 500.000 veta në shesh. Cili kod zgjedhor të ndalon ty të fitosh zgjedhjet? Më fal zonjë ti s’ke kuptuar popullin, se ti nëse pretendon dhe ke qenë protestë dhe ke 500.000 veta, ti nuk ke nevojë t'i ulësh hundën asnjërit. Me këtë kod zgjedhor ti i fiton zgjedhjet. Po ti nuk i ke numrat dhe po spekulon. Paske 500.000 veta në shesh ti dhe nuk fiton zgjedhjet? Me sistemin që është mund t'i fitosh. Po ti s'e ke kuptuar dhe më vjen keq shkolla që ke bërë”, u shpreh Bala.
Nga ana tjetër, Çepani e kundërshtoi me argumentin se zgjidhja që ka propozuar është ndryshimi i kodit zgjedhor dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike.
“Nuk e keni ndjekur me kujdes protestën sepse zgjedhjet janë dhënë. Ka shumë zgjidhje që jepen aty mbas problematikave, kështu që me sa duket s’e keni ndjekur me kujdes për të gjitha problemet që jepen, jepen edhe zgjidhje. Kryesorja, e para zgjidhje që është dhënë për një sistem i cili krijon përfaqësim është ndryshimi i kodit zgjedhor. Kjo është zgjedhja e parë që është dhënë. Është kërkuar pikërisht që një qeveri teknike të marrë përsipër të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme me ndryshim të kodit zgjedhor”. (A2 Televizion)