Ibrahim Rugova i pamposhtur: një shembull nga 29 tetori 1992

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2026, 10:40 | Blog

Ibrahim Rugova i pamposhtur: një shembull nga 29 tetori 1992

Në një ditë tetori të vitit 1992, ish-ministrat e jashtëm të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe erdhën në Prishtinë dhe, pasi deklaruan se kundërshtonin pavarësinë e Kosovës, i kërkuan Ibrahim Rugovës të bisedonte me regjimin serb. Rugova u përgjigj me një qetësi stoike: «Ne nuk kemi rënë dakord për statusin e Kosovës. Ky është mendimi i Cyrus Vanceit dhe David Owenit, dhe është vetëm një mendim». Njëkohësisht, lideri i Kosovës ua bëri të qartë diplomatëve se nuk do të hiqte dorë nga pavarësia dhe se shqiptarët nuk do të merrnin pjesë në zgjedhjet e të ashtuquajturës Jugosllavi. Ndërsa delegacioni i nivelit të lartë zhvillonte takime, në rrugët e Prishtinës po mbahej një protestë e radikalëve serbë. Në krye të protestës: Rada Trajkoviq.

Enver Robelli

Në fund të tetorit të vitit 1992, në Prishtinë erdhën për vizitë Millan Paniq, kryeministër i Jugosllavisë së cunguar, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, si dhe Cyrus Vance dhe Lord David Owen, drejtuesit e atëhershëm të Konferencës së Gjenevës për zgjidhjen e konflikteve në ish-Jugosllavi. Paniqi ishte një biznesmen serbo-amerikan, të cilin Sllobodan Millosheviqi e kishte sjellë në Beograd dhe e kishte emëruar kryeministër me qëllim që ai - Paniqi - ta qetësonte bashkësinë ndërkombëtare përmes mesazheve paqësore. Ndërkohë, soldateska serbe do të vazhdonte luftën për krijimin e Serbisë së Madhe, nga Kroacia deri në Maqedoni. Paniqi fliste serbisht me theks amerikan, për këtë nga disa serbë përqeshej. Nuk kishte ndonjë talent të veçantë politik, por, nëpërmjet disa deklaratave, kundërshtonte Millosheviqin. Qasja e tij ishte naive. Shoqëria serbe e asaj kohe ishte pothuajse homogjene në mbështetjen e luftërave pushtuese në Kroaci dhe Bosnjë, pasi udhëheqja serbe kishte suprimuar më parë, në mënyrë antikushtetuese, autonomitë e Kosovës dhe Vojvodinës. Ndaj apeleve të Paniqit për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore, shumica e popullit serb përgjigjej me retorikë edhe më nacionaliste. Nëse këto apele të tij ishin të sinqerta apo jo, kjo është çështje tjetër.

Në këto rrethana, Paniqit i lindi një ide: t'i bindte shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet e parakohshme federale, pra në zgjedhjet e Jugosllavisë së cunguar. Kësisoj, ai shpresonte ta largonte Millosheviqin nga pushteti. Për ta çuar përpara këtë synim, Paniqi kishte pranë vetes ish-ministrin e Jashtëm amerikan Cyrus Vance dhe ish-ministrin e Jashtëm britanik David Owen. Më 29 tetor 1992, këta të dy takuan Rugovën. Më pas, lideri i shqiptarëve të Kosovës pranoi të bisedonte me Millan Paniqin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e cila në atë kohë ishte e zaptuar nga autoritetet serbe, pas dëbimit të shqiptarëve nga jeta publike.

Biseda nuk shkoi sipas pritjeve të Paniqit, por as sipas pritjeve të Vanceit dhe Owenit, të cilët nuk shquheshin si kundërshtarë të vendosur të politikave agresive serbe. Pas vizitës së këtij delegacioni, Ibrahim Rugova bisedoi me gazetarin Dejan Anastasijeviq, i cili në atë kohë punonte për agjencinë e lajmeve United Press International (UPI). Fillimisht, dr. Rugova e bëri të qartë: «Nuk kemi asnjë arsye të marrim pjesë në këto zgjedhje», pra në zgjedhjet e Jugosllavisë së mbetur. Kur u pyet nëse ekzistonte mundësia që ai të ishte i hapur për negociata, Rugova u përgjigj: «Jo, nuk mund të thuhet kështu».

Në këtë pikë, dr. Rugova ishte kategorik: shqiptarët e Kosovës nuk do të merrnin pjesë në zgjedhjet për parlamentin jugosllav, të shpallura për 20 dhjetor 1992. Ai shtoi se i përmbahej rezultateve të referendumit të shtatorit 1991, në të cilin shumica shqiptare e Kosovës kishte votuar për pavarësi. «Ne i kemi zhvilluar tashmë zgjedhjet tona. Kemi mbajtur edhe një referendum për pavarësinë. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe të atij referendumi janë detyruese për ne», tha Rugova. Për të mos lënë asnjë paqartësi, ai theksoi se shqiptarët nuk e njihnin federatën e cunguar të Serbisë dhe Malit të Zi.

Ndërsa Owen dhe Vance kishin hedhur poshtë pavarësinë e Kosovës, Rugova, i pamposhtur, u përgjigj: «Ne nuk kemi rënë dakord për statusin e Kosovës. Ky është mendimi i Vanceit dhe Owenit, dhe është vetëm një mendim».

Ishte vetëm një mendim i tyre. Ata u larguan. Hynë në histori. Nuk arritën të zgjidhnin asnjë konflikt në Ballkan. Rugova, në atë kohë, nuk pranoi të hynte në negociata me regjimin serb pa një ndërmjetësim serioz perëndimor.

Me kalimin e viteve Dejan Anastasijeviq do të bëhej një nga kronistët e patrembur të krimeve serbe në Kosovë. Ai ishte një gazetar që jo vetëm demaskonte propagandën serbe, por në tekstet e tij u jepte hapësirë zërave shqiptarë. Vdiq shumë i ri, në vitin 2019. Shoqëria shqiptare e Kosovës nuk e ka vlerësuar sa duhet këtë gazetar. Për fat të keq.

Të kthehemi te fundi i tetorit të vitit 1992. Ndërsa delegacioni i nivelit të lartë zhvillonte takime, në rrugët e Prishtinës po mbahej një protestë e radikalëve serbë. Në krye të protestës: Rada Trajkoviq.

Në një postim në rrjetin X, historiani serb Petar Zharkoviq ka sjellë së fundi detaje të këtij tubimi serbomadh në Prishtinë, duke cituar gazetën «Borba». Në raportin e saj, gazeta shkruante: «Tubimi protestues nisi me këngën ‹Në luftë, në luftë, o serbi im›, që u lëshua përmes altoparlantëve, si dhe me këngë të tjera. Pjesëmarrësit mbanin shumë pankarta të shkruara në gjuhën serbe dhe angleze. Mbizotëronte një pankartë ku shiheshin fotografitë e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, të cilët i ‹lidhte› perandori Dushan. Në të shkruhej: ‹Serbia është e përjetshme për sa kohë që bijtë e saj i qëndrojnë besnikë›».

Në këtë tubim ishte e pranishme dhe shumë e zëshme aktivistja radikale Rada Trajkoviq, atëbotë adhuruese e madhe e Vojisllav Sheshelit. Gazeta «Borba» shkruante: «Në emër të shoqatës ‹Postojbina›, foli dr. Rada Trajkoviq, e cila tha se ‹e ashtuquajtura politikë paqësore e Millan Paniqit ka sjellë vetëm frikë dhe shqetësim në vendet serbe dhe te populli serb›. Ajo shtoi se paqja në dëm të serbëve nuk është paqe dhe i tha atij: ‹Na është bërë tepër e rëndë një paqe e tillë, prandaj të lutemi të largohesh›. ‹Udhë të mbarë për në Amerikë!› Turma iu bashkua thirrjeve: ‹Paniq, ik!›».

Protestuesit i dërguan një letër Vanceit dhe Owenit, në të cilën radikalët serbë të Kosovës kërkonin «ndalimin e hyrjes së delegacioneve të huaja që nxisin trazira». Më tej, Trajkoviq dhe ithtarë të tjerë të ultranacionalizmit serb u bënin thirrje Vanceit dhe Owenit që t'u kërkonin qeverive të tyre të angazhoheshin për kthimin vullnetar të myslimanëve te rrënjët e tyre të krishtera, «pasi ju keni mundësi të ushtroni një ndikim të tillë». Sipas autorëve të letrës, kjo do të «ndihmonte në uljen e tensioneve dhe në përvetësimin e arritjeve të qytetërimit perëndimor» dhe do të pengonte krijimin e njëfarë xhamahirije në Bosnjë apo të një gjysmë-shteti islamik në Kosovë.

Radikalët serbë ishin «zemërgjerë» edhe sa i përket përjashtimit të shqiptarëve nga sistemi arsimor: atyre u ofronin tri mundësi. Së pari, të arsimoheshin në gjuhën serbe dhe në universitetet shtetërore serbe. Së dyti, shqiptarët që kishin para mund të hapnin universitete private. Dhe së treti, të arsimoheshin në Tiranë. Letra kulmonte me kërkesën që «të gjithë ata që nuk kanë shtetësinë e këtij vendi ose që nuk e pranojnë shtetin e Serbisë dhe Jugosllavisë si të tyrin, duhet të dëbohen në Shqipëri». (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos