"56% e grave janë me PS", Rama: Shqiptarët të zgjedhin, në Europë me mua ose në kënetë

Nga A2 CNN
18 Prill 2025, 16:52 | Politikë

"56% e grave janë me PS", Rama: Shqiptarët të zgjedhin,

Për Edi Ramën shqiptarët kanë vetëm një zgjedhje për të bërë në 11 Maj, dhe ajo është që të vazhdojnë rrugën me Partinë Socialiste drejt Bashkimit Europian, apo të zhyten sipas tij në kënetën, me të cilën identifikon Partinë Demokratike.

“Ne kemi shumë rrugë për të bërë, por ka shumë rëndësi që gratë shqiptare të kuptojnë sesa themelore është që më 11 maj populli shqiptar t’i kapërcejë kufijtë që ndajnë njerëzit në zgjedhje. 11 maji është takimi i dytë me historinë i shqiptarëve. Takimi i parë ka qenë 1991-1992, ku shqiptarët, në mënyrë dërrmuese, votuan PD. Në mars, në zgjedhjet e përgjithshme, populli kuptoi që ai ishte momenti. Ky ishte 22 marsi. Sot, 11 maj është momenti, vendi ku populli të marrë një vendim, për t’i vazhduar pa ndalur, pa ndërprerë negociatat për anëtarësim, apo për të ngatërruar mes nesh, popullit shqiptar dhe BE, kënetën dhe moçalet, që janë një mundësi zgjedhjeje në 11 maj. Këtë duhet të ndajnë njerëzit”, tha kryeministri.

Më pas Rama shprehu bindjen se pa të në pushtet, Shqipëria do të humbasë shansin historik për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e unionit.

“Nëse nuk është PS dhe nëse nuk jam unë në detyrë, Shqipëria nuk shkon me asnjë tjetër në BE, për një kohë më të gjatë nga sa mendojmë ne sot”, deklaroi ai.

Për kryeministrin fitorja e mazhorancës në këto zgjedhje do të jetë e garantuar, pasi ai pretendon se Partia Socialiste ka mbështetjen e 56 përqind të grave në rang vendi.

“Të gjitha këto janë rezultat i një procesi, i një përpjekjeje, të një këmbënguljeje të madhe dhe të binsjes se gratë dhe vajzat janë vlerë e shtuar. Jam shumë i kënaqur. Po të më thonin më përpara, ne kemi mbështetjen e 56 përqind e grave dhe vajzave të Shqipërisë. Tek burrat, jemi më poshtë, po nuk më vjen keq fare. Ka qenë një grua shumë e fortë, e mençura, Thatcher, edhe ajo e ka thënë shumë thjeshtë, shumë qartë, po deshe muhabet, ulu bëje me burrat. Po deshe punë, çohu bëje me gratë. Këtë e kam parë në eksperiencën e përditshme”, deklaroi Rama nga takimi elektoral në Lezhë.

Sa për meshkujt e këtij vendi që nuk u ka pëlyqer etiketimi si “çyryk” nga shefi i qeverisë, ai duket se nuk pendohet për referencën, e madje i bën burrat fajtor për mosavancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në çdo fushë.

“Janë mërzitur disa. Mjer kush sheh televizor në këtë vend, sallonet e natës ku shtrihen burrat dhe japin mend, por mend nuk kanë. Janë mërzit, si thotë Edi Rama, gjysmës së burrave çyryk. Se sikur të mos ishin gjysma çyryk, e dini ku do ishte Shqipëria sot? Se burrat e kanë pasur në dorë, për një kohë shumë të gjatë. A është normal një burrë që hidhet në kënetë me kokë? Ne kemi 56 përqind të grave në të gjithë Shqipërinë. Na duhet vetëm gjysma e burrave dhe ne fitojmë, jemi në rregull”, theksoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos